Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha vizitoi Qendrën Korrektuese në Lipjan, për të parë nga afër kushtet, trajtimit dhe problemet që të trajtuarit në këtë qendër mund t’i kenë.
Ministrja u zotua se Ministria e Drejtësisë dhe dikasteret përgjegjëse, do të marrin masat e duhura dhe të nevojshme për përmirësimin e kushteve të përgjithshme, trajtimin e drejtë dhe të barabartë, si dhe ofrimin e mundësive më të mira, me theks të veçantë në jetën post penale.
Në bashkëbisedim, ministrja Hoxha dëgjoi ankesat, kërkesat dhe rrëfimin e të trajtuarve në këtë qendër, për jetesën dhe aktivitetet që ata i zhvillojnë brenda qendrës.
“Me këtë rast, u diskutuan edhe shumë çështje tjera me interes për stafin udhëheqës të qendrës dhe të trajtuarit, si dhe u diskutua për gjetjen e mundësive më të mira për të ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Të gjitha palët u dakorduan që përkrahë trajnimeve ekzistuese, të punohet edhe më shumë në ngritjen dhe përforcimin e trajnimeve tjera profesionale, aktiviteteve sportive dhe rekreacioni.
Po ashtu, u diskutua edhe për fuqizimin dhe angazhimin e rolit të psikologut, i cili do të merret me trajtimin specifik të kërkesave dhe nevojave të të trajtuarve në këtë qendër.