Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur sot Komisionarin e Bashkimit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn, në kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke e vlerësuar vizitën e tij si të rëndësishme.
Me këtë rast, Ministrja Hoxha në rrjetin social ka shkruar:
“Në kufirin shtetëror me Serbinë, në Merdar, sot, mirëprita ardhjen e Komisionarit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn. Ardhja e tij sot në Kosovë, është me rëndësi sepse është e lidhur me klimën aktuale në raportet e Republikës së Kosovës me fqinjët, me mesazhe të paralajmëruara për promovimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal. Gjithsesi, fokusi ynë është jo vetëm fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal për të cilën kemi dhënë prova të bollshme, por edhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe liberalizimi i vizave”, ka shkruar Hoxha.