Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim një delegacion nga Gjermania të kryesuar nga përfaqësuesin Special për Negocim të Kornizës Financiare Shumëvjeçare të BE-së dhe drejtor për Politikat e BE-së në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ambasadorin Thomas Ossowski, me bashkëpunëtorë.
Në takim u diskutua për projektet e përbashkëta të realizuar gjerë më tani, ato aktuale nëpërmjet projektit të organizatës gjermane GIZ.
Njëkohësisht u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në kontekst të procesit të integrimit Evropian. U theksua rëndësia e implementimit sa më të suksesshëm të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si një momentum për të kthyer vëmendjen e perëndimit për të përkrahur proceset kyç për Kosovë. Po ashtu, temë ishte edhe rëndësia e demarkimit të kufirit me Malin e Zi dhe finalizimi i procesit të liberalizimit të vizave.
Me këtë rast, ministrja Hoxha potencoi se Kosova e çmon përkrahjen e Gjermanisë dhe konsideron se Gjermania është ndër miqtë kryesorë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, Gjermania është kontribuuesi kryesor i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të Ballkanit perëndimor.
Ajo, po ashtu, shprehu vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të forcuar edhe më tutje bashkëpunimin me Gjermaninë si për të mirën e zhvillimit të Kosovës, ashtu edhe përfarimin e vendit me Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, Ossowski i konfirmoi ministres Hoxha vazhdimin e përkrahjes së Gjermanisë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe njëkohësisht e përgëzoi për emërimin e saj për të udhëhequr me procesin e integrimit Evropian si një ndër çështjet kyç ku duhet koncentruar Kosova.