Hoxha: Qëllimi i Thaçit nuk ishte formimi i ushtrisë me ligj

Prishtinë | 09 Pri 2017 | 14:00 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Veprimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi përkitazi me transformimin e FSK-së në ushtri janë tejet pozitive. Këto veprime i kanë vënë në funksion bashkësinë ndërkombëtare, Listën Serbe, por edhe vetë institucionet e Kosovës, karshi nevojës për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Kështu ka thënë për Ekonomia Online, Abit Hoxha, njohës i çështjeve të sigurisë, duke thënë se nuk ka qenë qëllimi i presidentit Thaçi që të krijojë ushtrinë përmes ligjit, por për ta sensibilizuar faktorin ndërkombëtar dhe Listën Serbe.

“Nuk ka qenë qëllimi të krijohet ushtria ashtu, por ka qenë më shumë që të vihet makineria politike në lëvizje edhe më duket që kjo u arrit. Çdo lëvizje është më e rëndësishme sesa status quoja dhe besoj që presidenti e ka parasysh këtë punë. Si rezultat i këtyre veprimeve edhe Lista Serbe është kthyer në Kuvend dhe është qartësuar pozicioni i Bashkësisë Ndërkombëtare rreth kësaj të cilën nuk e kemi ditë”, ka thënë ai.

Megjithatë, Hoxha mendon se pavarësisht pozicionit të Brukselit dhe Uashingtonit, për transformimin e FSK-së në ushtri, duhet një lloji kompromisi me Listën Serbe.

Hoxha ka thënë se përveç asociacionit mund të ketë edhe ndonjë kompromis tjetër, pa qartësuar se cilët mund të jenë.

“Tashmë dihet qartësisht pozita e Brukselit e Uashingtonit e gjithë aktorëve ndërkombëtarë për këtë çështje. Dhe dihet se ka vetëm një rrugë për këtë punë dhe kjo është njëfarë lloj ‘kompromisi’ me Listën Serbe që ta votojë ushtrinë që në njëfarë forme të procedohet më tutje. Mund të jetë edhe asociacioni por mund të jetë edhe diçka tjetër”, ka thënë ai.

Kthimin e Listës Serbe në Kuvend, Hoxha e sheh si rezultat të nismës së Thaçit për ta bërë ushtrinë përmes ndryshimeve ligjore.

“Lista Serbe nuk është kthyer në Kuvend siç dolën edhe në media për shkak të rrogave, janë kthyer për shkak të lëvizjes politike, dhe e ka parë që është më mirë me qenë në Kuvend për me pas fuqi politike sesa jashtë kuvendit e mos me pas fuqi politike”, përfundon ai.

Kujtojmë se presidenti Thaçi e pezulloi projektligjin për FSK-në, që e kishte inicuar për Kuvend.

Këtë veprim Thaçi e ndërmori pas presionit të ndërkombëtarëve të cilët nuk po pajtohen që ushtria e Kosovës të bëhet pa ndryshime kushtetuese.

 

Të ngjashme