Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook se sulmi ndaj ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, është sulm ndaj të gjithë qytetarëve të shtetit.
“Çdo veprim fyes kundër Ambasadores Çitaku, është fyerje për të gjithë qytetarët e vendit tonë, është i papranueshëm dhe i ulët, andaj nuk duhet në asnjë rast të përsëritet”, ka thënë Hoxha.
“Liria e shprehjes nuk nënkupton cenim të integritetit të askujt, aq më pak të përfaqësuesit legjitim të Republikës së Kosovës në vendin mik në ShBA, garantuesit të shprehjes së lirë dhe demokracisë globale”.
“Republika e Kosovës, përfaqësuesit e saj, për fat të keq, janë në shënjestër të keqbërësve edhe jashtë vendit, me motivin e qartë, uljen e reputacionit dhe imazhit të shtetit të Kosovës dhe të arriturave të saj”.