Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim, Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Kristian Danielsson, ku ka theksuar se dita e sotme ishte ditë e mire për Kosovën, ditë e mirë për qytetarët e saj, ngase, me 98 vota, u miratua marrëveshja Financiare, IPA 2016, duke unifikuar edhe faktorin politik si dëshmi se rruga integruese evropiane, është konsensus nacional.
“Pritjet e qytetarëve janë të mëdha, institucionet me seriozitet dhe përkushtimin më të madh po punojnë në zbatimin e MSA-së dhe obligimeve tjera që dalin nga procesi integrues”, theksoi Hoxha.
Ministrja ka theksuar përkushtimin që të përshpejtoj dinamika e procesit integrues. Përshpejtimi i kësaj dinamike, sipas saj, do të bëhet duke punuar me të gjitha institucionet për përmbushjen e obligimeve që janë pjesë e Agjendës së Reformave Evropiane dhe MSA-së në tërësi.
Danielsson vlerësoi lartë përkushtimin e Hoxhës dhe angazhimin për realizimin e prioriteteve në mandatin e saj ministror, duke theksuar se Drejtoria që ai udhëheq do ta japë përkrahjen e plotë për Kosovën, në tejkalimin e sfidave integruese, përcjell EkonomiaOnline.
Hoxha, ndërkaq, ka thënë po ashtu se institucionet e Kosovës po punojnë edhe në avancimin e politikave të arsimit dhe punësimit.
“Ligji për Arsimin e Lartë pritet të riprocedohet gjatë vitit 2018 meqë i njëjti është tërhequr pas kundërshtimeve të Listës Serbe. Po ashtu strategjia për punësim dhe Politika Sociale është në fazën finale të konsultimeve dhe pritet të aprovohet brenda muajit tetor të këtij viti”, ka thënë Hoxha.
“Përfshirja e Kosovës në planet për zgjerim, është e një rëndësie të madhe”, theksoi ministrja Hoxha, duke shtuar se “qytetarët tanë të jenë të informuar se puna e institucioneve të Kosovës dhe reformat përkatëse po rezultojnë me progres në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”.
“Besoj fuqishëm se Kosova duhet të jetë pjesë e planeve për zgjerim dhe të trajtohet barabartë me vendet fqinje”, theksoi Hoxha, duke ftuar institucionet t’i përmbushin kriteret dhe obligimet në këtë proces.
Danielsson vlerësoi angazhimet e tërësishme të institucioneve duke ofruar edhe përkrahjen e mëtejshme të proceseve integruese të Kosovës në realizimin e synimeve dhe konsensusit nacional euro-integrues.