Hoxha: Të gjeturat e hetimit për Banjskën do ta bëjnë të paalternativë vendosjen e masave ndaj organizatorit

Prishtinë | 15 Mar 2024 | 09:18 | Nga Ekonomia Online

Mospërfundimi i hetimeve nga Prokuroria Speciale për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Valdet Hoxha thotë po bëhet me qëllim që të argumentohet saktë.

Sipas ish zv.ministrit të Brendshëm, për këtë nevojitet edhe ndihma juridike ndërkombëtare.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar hetimet lidhur me këtë rast dhe është brenda afatit siç përcaktohet me Kodin e Procedurës Penale, por mospërfundimi i tyre deri më tani dhe marrja e një epilogu final të hetimit, besoj po bëhet me qëllim të argumentimit të plotë dhe të saktë të krejt ngjarjes që kërkon hapa të kujdesshëm procedural por po besojë që është e nevojshme edhe ndihma juridike ndërkombëtare si në favor të vërtetimit të fakteve ashtu edhe në validimin e suksesit hetimor”, ka thënë ai për Front Online.

Ai shprehet i bindur se me hetimet e gjetura për sulmin terrorist, do të vendosen masa ndëshkuese organizatorit, mbështetësit dhe financuesit të sulmit terrorist në Banjskë.

“Megjithatë, tashmë janë bërë disa muaj nga sulmi në Banjskë dhe duke e ditur faktin se Prokuroria Speciale e Kosovës ka potencial të mjaftueshëm për ta bërë një hetim të tillë dhe duke llogaritur ndjeshmërinë dhe rëndësinë që ka përfundimi i këtij hetimi, do duhej që tashmë hetimi të ishte në fazën finale dhe shumë shpejt të merr epilog. Jam i bindur që të gjeturat e hetimit do ta bëjnë të paalternativë vendosjen e masave ndaj organizatorit, mbështetësit dhe financuesit të sulmit terrorist në Banjskë”, u shpreh ai.

Të ngjashme