Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, në konferencën për shtyp dedikuar rastit tragjik të ndodhur në karantinën e Qendrës Studentore, ka kërkuar edhe angazhimin e Kuvendit të Kosovës për zbardhjen e rastit.
Hoxha ka potencuar se shumë qytetarë të riatdhesuar që do duhej të ishin në karantinën e Qendrës Studentore, janë privilegjuar duke iu lejuar që ta shmangin karantinën ose që të largoheshin para kohe prej saj, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu, deputetja Hoxha ka vlerësuar se përveç funksionit legjislativ, është edhe ai i mbikëqyrjes së Qeverisë dhe i kërkimit të llogarisë dhe vënies para përgjegjësisë për të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj, duke kërkuar komision të posaçëm hetimor për rastin tragjik.
Fjalimi i plotë i deputetes Hoxha:
Të nderuar përfaqësues të medias Të dashur qytetarë Ngjarja tragjike e ndodhur në karantinën e Qendrës Studentore dhe implikimi i institucioneve shtetërore në shkaktimin e saj, ka tronditur rëndë shoqërinë tonë dhe kërkon edhe angazhimin e Kuvendit të Kosovës në zbardhjen e saj.
Dokumentet e publikuara në media për korrespondencën e bërë me Ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe Qendrën Operative Emergjente të Gjilanit dëshmojnë se ministri i shkarkuar Vitia dhe personat përgjegjës për karantinën kanë qenë në dijeni për problemet shëndetësore të Agon Musliut.
Pra, institucionet shtetërore që duhej të kujdeseshin për të riun 26 vjeçar, kanë kryer një akt të rëndë neglizhence e papërgjegjshmërie që ka çuar mandej deri tek tragjedia e vetëvrasjes.
Ato fakte gjithashtu tregojnë se ministri i shkarkuar i shëndetësisë në konferencën e shtypit dje nuk ka thënë të vërtetën. Po ashtu, kanë dalë tashmë fakte të shumta bindëse se karantina është menaxhuar keq dhe se ka pasur abuzime të rënda për sa i përket trajtimit në mënyrë selektiv të qytetarëve të riatdhesuar. Shumë qytetarë të riatdhesuar që do duhej të ishin në karantinën e Qendrës Studentore, janë privilegjuar duke iu lejuar që ta shmangin karantinën ose që të largoheshin para kohe prej saj.
Nga ana tjetër shumë qytetarë fatkeq e të pafuqishëm, sikurse Agon Musliu, që nuk kishin lidhje politike, autoritet apo pushtet, u detyruan të qëndrojnë medoemos në karantinë. Duke pasur parasysh rëndesën dhe seriozitetin e ngjarjes dramatike të ndodhur si dhe përgjegjësitë e mëdha të institucioneve shtetërore që kufizuan lirinë e tij dhe duhej të kujdeseshin për të, Partia Demokratike e Kosovës, propozon krijimin e një komisioni hetimor parlamentar të posaçëm.
Kujtoj se përveç funksionit legjislativ, një ndër funksionet më të rëndësishme që ushtron Kuvendi i Kosovës është ai i mbikëqyrjes së Qeverisë dhe i kërkimit të llogarisë dhe vënies para përgjegjësisë për të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj.
Ky komision parlamentar do duhet të hetojë sjelljen dhe veprimet e qeverisë gjatë periudhës së pandemisë duke u marrë në mënyrë të veçantë me përgjegjësitë institucionale që shkaktuan vetëvrasjen e 26 vjeçarit Agon Musliu.
Ne besojmë se ky komision hetimor është bërë i domosdoshëm duke parë situatën e krijuar si pasojë neglizhencat, dështimet, abuzimet dhe shkeljet ligjore të shumta të qeverisë së shkarkuar, prandaj presim edhe mbështetjen e partive të tjera politike.