Hoxha: Të rritet roli i grave në drejtësi

Prishtinë | 19 Maj 2017 | 12:08 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në Konferencën rajonale të grave gjyqtare dhe prokurore, ku me këtë rast, diskutoi rreth çështjeve që përfshijnë angazhimin e fokusuar për gratë, duke theksuar se do rritur rroli i grave në drejtësi.

“Gjyqtaret dhe prokuroret ende ballafaqohen me vështirësi sa i përket fuqizimit të rolit të tyre dhe rritjes së numrit të tyre. Gjyqtaret dhe prokuroret janë zëri i së vërtetës, zëri i drejtësisë, zëri i sundimit të ligjit dhe mendja e cila u ofron qytetarëve siguri se askush nuk është mbi ligjin dhe ato mbrojnë fuqishëm këtë parim”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.

Ministrja Hoxha vuri në dukje se ka filluar një sërë nismash për të avancuar dhe harmonizuar legjislacionin që ndihmon në fuqizimin e grave në përgjithësi, edhe pse me kompetenca të kufizuara është e përkushtuar që të lehtësojë punën e gjyqësorit dhe prokurorisë si shtyllat kyçe për ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik.

“Pavarësisht sfidave, ju çdo ditë po i ofroni qytetarëve jo vetëm siguri dhe besim në drejtësi, por edhe po i jepni shpresë çdo gruaje se gjinia nuk është dhe asnjëherë nuk duhet të jetë pengesë për suksesin e një gruaje e aq më pak në vënien e drejtësisë”, theksoi Ministrja.

Tashmë ka filluar zbatimi i Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, theksoi Ministrja Hoxha, kjo iniciativë do tu mundësoj viktimave të krimit realizimin e të drejtës për të kërkuar kompensim që sadopak të mund të jap një satisfaksion për viktimën pavarësisht dëmeve të shkaktuara.

Po ashtu, theksoi ministrja Hoxha, kemi hartuar Strategjinë për të Drejtat Pronësore duke i dhënë fokus adresimin të sfidave ekzistuese për realizimin e të drejtave pronësore të grave.

“Besoj fuqishëm se realizimi i të drejtave pronësore të grave është parakusht për fuqizimin e tyre. Gjithashtu është hartuar edhe Strategjia kundër Dhunës në Familje”, theksoi Ministrja Hoxha, se aty ku nuk ka fuqizim të grave, nuk mund të ketë shoqëri të barabartë.

Gratë gjyqtare dhe prokurore në Kosovë por edhe gratë në pozita të tjera vendimmarrëse, vuri në pah Ministrja Dhurata Hoxha, duhet të jenë të lira për të kryer punën e tyre larg çdo paragjykimi mbi baza gjinore.

“Për të arritur këtë, duhet të fokusohemi edhe në pjesën shoqërore, të punojmë me ngritjen e vetëdijes në shoqëri dhe fuqizimi i grave të mos bëhet vetëm përmes mekanizmave ligjor, por edhe të bëhet mision dhe qëllim i secilit qytetar të Republikës së Kosovës. E gjithë kjo punë është e pashmangshme për të ndërtuar vlera të cilat do t’i kontribuojnë shoqërisë jo vetëm sot, por edhe dhe në të ardhmen”, theksoi Ministrja Hoxha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme