Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po merr pjesë në Konferencën e Ambasadorëve të Shqipërisë, të organizuar në Tiranë, ku ka folur për sfidat rajonale të sigurisë dhe veçmas raportet e Kosovës në këtë dekadë të paqartësive dhe kërcënimeve të mëdha.
Kryediplomati Hoxhaj ka thënë se rajoni në pikëpamje të sigurisë ka përjetuar një ndryshim të madh ku marrëdhëniet e dikurshme armiqësore sot janë zëvendësuar me marrëdhënie paqësore në mes të shteteve dhe shoqërive në rajon dhe ku harta e sigurisë rajonale ka pësuar ndryshime si rezultat i faktit se shumë vende të rajonit janë bërë anëtare të NATO-së dhe BE-së dhe gjysma tjetër janë me perspektivë të qartë të anëtarësimit.
Sipas tij, rajoni sot megjithatë ballafaqohet me dy lloje të kërcënimeve, me gjithë progresin.
“Përkundër këtij progresi, një lloj i parë i burimeve të pasigurisë ka të bëjë me mos zgjidhjen e çështjeve bilaterale sikurse mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe ndërhyrjet e saj në Kosovë, mos zgjidhja e kontestit të emrit të Maqedonisë dhe raportet e vështira ndërmjet entiteteve në Bosnjë. Të gjitha këto po e mbajnë rajonin në gjendjen e status qous, e cila pamundëson stabilitet afatgjatë dhe të integrimit evropian” ka thënë Hoxhaj në konferencë.
Në praninë e mbi 100 pjesëmarrësve, diplomatë shqiptarë dhe të huaj, Hoxhaj ka folur edhe për llojin e dytë të kërcënimeve.
“Këto kërcënime janë edhe më të rrezikshme dhe kanë të bëjnë me ndikimin rus duke përdor të gjitha mjetet politike, diplomatike, ekonomike dhe kulturore për të ushtruar influencë në çdo dimension të jetës dhe për të ngadalësuar rrugën e reformës dhe të integrimit euroatlantik. Këto janë edhe kërcënime hibride, të cilat janë të hapura apo kamufluara” ka thënë ai
Rreziqe të pashmangshme, ka deklaruar Hoxhaj janë edhe radikalizmi dhe ekstremizmi fetar si pasoj e tendencave të rrymave dhe ideologjive të ndryshme në Lindjen e Mesme.
Ka bërë thirrje që ndaj këtij fenomeni shtetet e rajonit duhet të karakterizohen me vizion, vendosmëri dhe vullnet për t’u përballë.