Gjykata e Hagës ka dënuar kriminelin serb, Radovan Karaxhiq me burgim të përjetshëm për krimet e kryera ndaj popullatës civile në Bosnjë e Hercegovinë.
Këtij lajmi i është gëzuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili reagoi përmes një postimi në Twitter.
Hoxhaj deklaroi se dënimi me burgim të përjetshëm për krimet ndaj civilëve, i kriminelit serb Karaxhiq, i cili pati rol kyç në gjenocidin e kryer në Bosnjë e Hercegovinë, është moment i rëndësishëm për të gjitha viktimat që kanë vuajtur sistematikisht nga veprimet kriminale të orkestruara në Beograd.
“Radovan Karaxhiq pati rol kyç në gjenocidin që bëri Serbia ndaj viktimave në Bosnjë e Hercegovinë, për çka sot mori dënimin me burg të përjetshëm. Ky është moment shumë i rëndësishëm për të gjitha viktimat që sistematikisht kanë vuajtur nga krimet e orkestruara në Beograd”, ka shkruar Hoxhaj.