Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim, kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe kryetar i këtij Komisioni, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën raportuan ministrat e kabinetit qeveritar, përkatësisht, Enver Hoxhaj, ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), njëherësh kryetar i Këshillit për Stabilizim-Asociim dhe Ferat Shala, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo mbledhje u mbajt në vazhdën e përgatitjeve të takimit të tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, i cili do të mbahet me datë 20-21 prill në Prishtinë.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj njoftoi për hapat e ndërmarrë nga ministria që ai udhëheqë për përmbushjen sa më të suksesshme të obligimeve që dalin nga MSA-ja për këtë ministri.
Obligimet për MPJ-në, sqaroi në vijim ministri Hoxhaj, janë të përshkruara në kapitullin e dytë të Marrëveshjes së MSA-së. Në kuadër të obligimeve, ai vuri në spikamë një mori çështjesh, siç janë: harmonizimi i politikës së jashtme të Kosovës me BE-në, pjesëmarrja e Kosovës në forumet ndërkombëtare, ndërtimi i raporteve të mira ndërfqinjësore, si dhe çështje të tjera në kuadër të marrëveshjes.
Hoxhaj më pas foli edhe për sfidat në realizimin e marrëveshjes së MSA-së, ndërkaq, vlerësoi se me një bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, marrëveshja e MSA-së do të jetësohet në tërësi.
Për të arriturat dhe sfidat në përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja e MSA-së për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, raportoi ministri i kësaj ministrie, Ferat Shala.
Ai tha se obligimet për këtë ministri rrjedhin nga kapitulli i 17-të i marrëveshjes, për përmbushjen e të cilave ministria është e mobilizuar në përmbushjen e tërësishme të tyre. Me këtë rast ai vuri në spikamë sfidat, për të cilat njoftoi se janë të natyrës kryesisht buxhetore. Si sfidë tjetër, ministri Shala nënvizoi edhe mungesën e kuadrit, përkatësisht, ekspertëve nga fusha e ambientit dhe planifikimit hapësinor.
Ministrat u janë përgjigjur edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e komisionit, të cilët vlerësuan po ashtu se takimet e tilla janë shumë të dobishme për tu njoftuar për ecurinë e realizimit të marrëveshjes së MSA-së.