Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, aktualisht nënkryetar i Kuvendit, ka komentuar ngjarjet e fundit në mes të Rusisë dhe Ukrainës dhe ka kritikuar lidershipin kosovar për mos reagim kundër Rusisë.
Hoxhaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se rreziku që lufta mundet të shpërthejë cdo ditë ne Evropë është i njohur për të gjithë, por vetëm për Kosovën jo.
Tutje, ai ka thënë se heshtja e Kosovës në këtë krizë të madhe ndërkombëtare është e rrezikshme.
“Rreziku që lufta mund të shpërthejë çdo ditë në mes Evropës është njohur për të gjithë, vetëm Kosova nuk e njeh dhe sheh këtë! Është e rrezikshme heshtja dhe paraliza e Kosovës në kriza të mëdha ndërkombëtare qoftë edhe për të bërë një deklaratë dhe për të dënuar kërcënimin e tmerrshëm rus në Ukrainë! A do të thotë që duam të mbajmë qëndrim asnjanës ndaj krizës në Ukrainë?”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka thënë se nga Kosova askush nuk pret armë, por presin të paktën një deklaratë publike.
“Nga Kosova askush nuk pret armë, por të paktën një deklaratë! Apo thjeshtë kjo heshtje e Kosovës ka të bëjë me mungesë të qëndrimit të qartë kundër agresionit rus, me neutralitetin tonë në politikën e jashtme? Apo po pret Kosova që dikush t’ia kërkojë deklarimin? Jam shumë krenar që me vendosmërinë time Qeveria e Kosovës vendosi sanksione kundër Rusisë, kur Rusia e aneksoi Krimenë më 2014. Këtë, nuk ma kërkoi askush, as këndej e as përtej detit! Mirëpo, qëllimi ishte i qartë, që ne si shtet i vogël të ofrojmë mbështetje publike dhe të rreshtohemi karshi botës demokratike!”, ka shkruar Enver Hoxhaj më tutje.
Nënkryetari i Kuvendit ka thënë se ajo se cfarë synon sot Putini është e njëjtë me atë se cka syonte Hitleri dhe Millosheviqi, duke shtuar se me rëndësi për Kosovën, në këtë rast të fundit, është të solidarizohet me Ukrainën.
“Çfarë synon Putini sot është njëjtë se çfarë synonte Hitleri më 1939 në Evropë dhe Millosheviqi më 1989 në Ballkan! Demokracitë – edhe të vogla, nuk guxojnë kurrë të dorëzohen para regjimeve autoritare dhe synimeve pushtuese!
Nuk po i vringëlloj shpatat kundër Rusisë! Por, është me rëndësi për Kosovën – e pushtuar dhunshëm nga Serbia deri më 1999, e kërcënuar çdo ditë nga ajo pas 2008-s, e bllokuar që 15 vite ndërkombëtarisht nga Rusia – të solidarizohet me tragjedinë e Ukrainës! Nuk ka nevojë për dije gjeopolitike sepse çdokush mund ta imagjinojë dramën atje! Por, kur je në pozitë të vendimmarrjes ajo që të trazon para se ta bësh një deklaratë publike është se a duhet t’i ndjekësh vetëm interesat e vendit tënd apo edhe parimet morale për kauza të tjera në botë!”, ka shkruar Hoxhaj.
Në fund të shkrimit të tij, ai është shprehur i bindur se në Ukrainë interesat dhe parimet e cdo demokracie po kërcënohen, sepse sipas tij, atje po kërcënohet paqja dhe siguria në mes të Evropës.
“Jam i bindur që në Ukrainë edhe interesat dhe parimet e çdo demokracie po kërcënohen, sepse atje po kërcënohet paqja dhe siguria në mes të Evropës! Çka fillon keq, fillon në Evropën Lindore dhe përfundon keq në Ballkan!”, ka përfunduar shkrimin e tij ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.