Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor së bashku me ministrat e Francës dhe Gjermanisë.
Në takimin që është pjesë e Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, Hoxhaj ka folur për sfidat dhe zhvillimet e reja në BE dhe Ballkan pas referendumit në Britani, dhe nevojën që rimendohet qasje e re.
Po ashtu, Hoxhaj ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së duke kërkuar heqjen e vizave pas rekomandimit pozitiv muaj më parë, ndërsa ka përmendur edhe dialogun me Serbinë dhe mos implementimin e marrëveshjeve.
“Politika jonë e jashtme rajonale mbështetet në paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Angazhimi ynë në dialog me Serbinë, me gjithë të kaluarën, është dëshmia më e mirë e këtij dedikimi. Megjithatë ky proces nuk duhet të vazhdoj pafundësisht dhe marrëveshjet duhet të implementohen”, ka thënë Hoxhaj në takim.
Më tej, ai ka ngritur shqetësimet për ndërhyrjet gjithnjë në rritje të Rusisë dhe ekstremizmit në rajon, duke kërkuar nga BE-ja që të jetë më e vendosur se kurrë për t’u përballur.
Kryediplomati kosovar ka falënderuar Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për përkrahjen pasi Kosova është njëra nga tri shtetet e vetme që ka përfituar financimin e një projekti hekurudhor.
Hoxhaj është pjesë e delegacionit të Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe Samiti në Paris është vazhdimësi e Procesit të Berlinit.