Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim zyrtar ambasadorin jo-rezident të Australisë në Kosovë, Brendon Hammer, të cilit i uroi mirëseardhje dhe suksese në punën si ambasador.
Ministri Hoxhaj e falënderoi ambasadorin Hammer për kontributin e deritashëm të Australisë në shtet-ndërtimin dhe proceset e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës. Të dy shkëmbyen pikëpamjet e tyre në lidhje me zhvillimet në nivel global dhe reflektimet e mundshme në Evropë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ministri Hoxhaj shprehu interesin e Republikës së Kosovës që të intensifikohen marrëdhëniet dy-palëshe më Australinë në rrafshin politik dhe sidomos në atë ekonomik duke folur për sektorë që janë të interesit të përbashkët për të dyja vendet.
Po ashtu, Ministri Hoxhaj kërkoi mbështetjen e Australisë në lobimin për njohje të reja dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Jemi të interesuar t’i thellojmë marrëdhëniet ndërshtetërore me Australinë, duke pasur parasysh raportet e shkëlqyeshme që kemi pasur deri më tani. Thellimin e bashkëpunimit, përveç se në planin politik, synojmë ta bëjmë edhe në sektorin ekonomik ku Kosova dhe Australia kanë interes të përbashkët. Presim nga Australia përkrahje në procesin e njohjes së Kosovës si dhe në iniciativat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, deklaroi ministri Hoxhaj.
Ambasadori Hammer shprehu gatishmërinë e Australisë për mbështetje ndaj Kosovës dhe për intensifikimin e marrëdhënieve.
Ministri dhe ambasadori ranë dakord për disa aktivitete të përbashkëta mes Kosovës dhe Australisë në fusha të interesit të përbashkët, gjatë vitit kalendarik 2017.