Ushtruesi i detyrës së kreut të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka propozuar ambasadorët tek ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pa u konsultuar fare me kryeministrin Avdullah Hoti.
Fillimisht Hoxhaj hezitoi të fliste për punën e Haradinajt si ministre e Jashtme, por më pas hodhi akuza ndaj saj.
“Nuk kemi adresë të qartë të përgjegjësisë se kush dhe çka bën. Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, i ka propozuar ambasadorët tek ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit, pa u konsultuar fillimisht me kryeministrin, siç do duhej”, është shprehur Hoxhaj në emisionin Pressing të T7.
Tutje, Hoxhaj tregoi se nuk do të kandidojë për pozitën e presidentit.
“Unë nuk jam kandidat për president”, tha Hoxhaj.
Ai sqaroi se detyra e tij aktuale është udhëheqja e PDK-së.
“Mu partia ma kanë besuar një detyrë në një situatë të tillë për PDK-në dhe e kam pranuar më shumë për arsye shoqërore se politike”, tha Hoxhaj.
“Unë e kam marrë një barrë në një kohë shumë të vështirë për PDK-në më shumë për shkak të një raporti miqësor me Kadri Veselin të cilin e njoh prej vitit 1997’, tha Hoxhaj.