Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në forumin vjetor të përbashkët të vendeve të Vishegradit ku bëjnë pjesë Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria me ato të Ballkanit Perëndimor në Varshavë të Polonisë.
Në diskutimet e panelit të parë për sfidat e rajonit në një botë gjithnjë e më të pasigurt, Hoxhaj ka falënderuar BE-në dhe vendet anëtare për përkrahjen në agjendën evropiane të Kosovës, por ka kërkuar edhe një mbështetje të fundit për liberalizimin e vizave.
“Është e arritur e madhe takimi i javës që shkoi i Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë dhe qasja në programet e BE-së, por në mënyrë që të lëvizin idetë, mallrat dhe shërbimet, duhet të lëvizin edhe njerëzit”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj tha se qëllimi i pjesëmarrjes së tij në këtë forum ka qenë që ta sigurojë përkrahjen e katër vendeve të Vishegradit për liberalizimin e vizave.
“Sot mora pjesë në samitin e vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor, ku kemi diskutuar për çështje të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe për agjendën evropiane të këtyre vendeve në raport me Bashkimin Evropian. Qëllimi i pjesëmarrjes sime ishte që ta siguroj mbështetjen e katër vendeve të Vishegradit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Iu thashë që është e padrejtë nëse qytetarët e Kosovës në pafundësi mbesin qytetarët më të izoluar në Evropë dhe besoj që do ta kemi mbështetjen polake, hungareze, çeke dhe sllovake”, ka përfunduar ministri Hoxhaj.
Po ashtu, ministrat e jashtëm dhe udhëheqësit e 14 vendeve do të vazhdojnë me diskutime në panele të ndara.
Pothuajse të gjitha vendet janë shprehur njëzëri për përkrahjen e vendeve të Ballkanit në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE.