Në Qendrën e Kulturës në qytetin e Mitrovicës u mbajt akademi përkujtimore për dy dëshmorët e rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë, Sami Gashin dhe Afrim Hajrizin, raporton Ekonomia Online.
Aty morën pjesë shumë krerë institucional, ndër ta edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj i cili tha se sakrifica e dy heronjve të cilët po përkujtohen sot, Samiut dhe Afrimit, është themel i pavarësisë së Kosovës.
Hoxhaj në emër të kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli falënderoi të pranishmit në këtë akademi. Ai tha se 20 Janari është dita kur përkujtohen këta dy dëshmorë është një ditë e cila përkujton themelimin e lirisë së Kosovës.
“20 Janari është një ngjarje e veçantë për Mitrovicën edhe për Kosovën edhe për kombin shqiptar kudo që bukës i thonë bukë, e ujit i thonë ujë. Është një ditë që ka të bëjë me themelin e lirisë sonë, ne sot jemi mbledhë pas 20 vitesh që ta shënojmë këtë ngjarje të rëndësishme për Kosovën”, tha Hoxhaj.
“Vepra e tyre është synimi më i mirë për ta kuptuar rrugën e gjatë që ne kemi bërë si popull për lirinë tonë. Sakrifica e Samiut dhe Afrimit është themel i pavarësisë sonë. Kemi bërë përpjekje që ta përmirësojmë gjendjen ekonomike dhe ta forcojmë Kosovën “, tha ai.
Hoxhaj e çmoi lartë veprën dhe jetën e dy dëshmorëve, Sami Gashi dhe Afrim Hajrizi.
“Vepra e tyre është synimi më i mirë për ta kuptuar rrugën e gjatë që ne kemi bërë si popull për lirinë tonë. Sakrifica e Samiut dhe Afrimit është themel i pavarësisë sonë. Kemi bërë përpjekje që ta përmirësojmë gjendjen ekonomike dhe ta forcojmë Kosovën “, tha Hoxhaj.
Hoxhaj tha se luftërat si ajo e Kosovës si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të rralla.
“Shumë popuj të tjerë në Evropë dhe në Ballkan kanë bërë sakrificë për lirinë e tille, por të rralla janë luftërat si lufta e UCK-së. Kur e kemi parasysh këtë kontribut të dëshmorëve të kombit dhe sakrificës që keni bërë gjatë shekullit 20, këtë kulturë të shpresës që e kanë pas qytetarët e Kosovës Afrimi dhe Samiu janë shembulli më i mirë i kësaj kulture të mos dorëzimit”
“Duke e nderuar veprën e tyre ne e dimë që duhet të bëjmë edhe më shumë për familjarët e dëshmorëve si dhe veteranët e luftës. Këta dy dëshmorë janë manifestim dhe reflektim se kush jeni ju si familje. Institucionet e shtetit e Kosovës do vazhdojnë punën e tyre të pandalshme deri ta ngritin flamurin e tyre në OKB “, shtoi ai.
Ndërsa i pari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se Kosova nuk po bëhet ashtu siç kanë dashur dëshmorët, raporton EO.
“Çdo herë është krenari kur ne jemi së bashku për të parë ata që janë sakrifikuar për këtë vend. Prej gjakut të tyre të derdhur ne jemi këtu ku jemi, në liri. Ne nuk po e udhëheqim vendin si ata kanë dashtë”, tha Bahtiri.
‘Sot jemi të lirë por këtë liri duhet të jetë mbi një forcë të fuqishme që e mbron çdo pëllëmbë të këtij vendi. Duhet të bashkohen nga kryetari i shtetit e deri tek ai që ka luftu për këtë vend. Ti dalim Zot atdheut “, shtoi Bahtiri.
Pjesë e Manifestimit ishte kryetari i Shoqatave të dala nga lufta në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni i cili i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.
“Ardhja juaj në këtë akademi është nderë për të gjithë ata që kanë luftuar dhe kanë rënë dëshmorë këtë vend”, tha ai.
Para të pranishmëve u lexua edhe biografia e dy dëshmorëve të rënë në luftën e fundit Sami Gashit dhe Afrim Hajrizit.