Hoxhaj: S’duhet të dorëzohemi derisa ta ngrisim flamurin e Kosovës në OKB

Prishtinë | 18 Shk 2018 | 11:17 | Nga Mehmet Krasniqi

Një ditë pas përvjetorit të dhjetë të Pavarësisë, është mbajtur konferenca ndërkombëtare “Një deklaratë pavarësi- Rruga evropiane e Kosovës”. Pjesë e kësaj konference ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se në këtë dekadë Kosova ka treguar se është storie suksesi. Ai deklaroi se nuk duhet të dorëzohemi derisa flamuri i shtetit të Kosovës të valojë në OKB, raporton Ekonomia Online.

“Na pret një fazë e re. Nuk duhet të dorëzohemi derisa flamurin e shtetit të Kosovës ta ngrisim në OKB. Përveç partnerët tanë, ne presim që edhe shtetet evropiane të arrijmë një marrëveshje ligjore për anëtarësim në OKB. Nuk do të kishte ditëlindje të 10-të pa Pan Evropën dhe miq të tjerë”.

“Sot secili prej nesh jemi 10 vjet politikisht të vjetër. Kjo konferencë është një lloj rishikimi i asaj që ka ndodhur në të kaluarën, asaj që nuk është bërë dhe asaj që duhet bërë. Rruga e Kosovës drejt lirisë dhe Pavarësisë ka qenë ndër rrugët më të vështira. Ka qenë vullneti politik dhe kultura e shpresës që na kanë mbajtë drejt rrugës për liri. Ne nuk do të ecnim përpara nëse nuk do të kishim miq ndërkombëtarë”, ka thënë Hoxha.

Arian Krasniqi, kryetar i Pan Europa-Kosova, tha se Kosova ka sfida përpara. Ai shtoi se identiteti evropian i Kosovës është gjenetik.

“Vendi ynë po e kalon dekadën e parë. Është dekadë e lindjes dhe konsolidimit. Në këtë dekadë pavarësie mbeten sfida të vazhdueshme. Kosova ka ndërtuar identitetin e vet si shtet evropian. Identiteti evropian i Kosovës përpos gjeografik është edhe gjenetik. Procesin e integrimit duam ta shohim edhe si proces shpirtëror”, ka deklaruar Krasniqi.

Alain Terrenoirre, kryetar i Unionit Ndërkombëtar Pan Europa tha se Kosova ka të drejtë të anëtarësohet në BE.

“Jemi të nderuar qe jemi në Prishtinë për të festuar 10-vjetorin e Pavarësisë. Në këto 10 vite Kosova është zotuar për ndërtimin e një shteti. Kosova dëshiron të bëjë përpjekje për anëtarësim në BE. Kosova e ka të drejtën e plotë të jetë pjesë e BE-së. Kosova është territor i BE-së. Sjellja e liderëve politikë na shtynë të mbështetemi në aleatët tanë.”

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme