Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë në seancën e Kuvendit të Kosovës se vendimi i Gjykatës së Colmarit në Francë për Haradinajn është zhgënjyes dhe i papranueshëm.
Ai ka bërë të ditur se përmes ambasadorit francez në Prishtinë, ka kërkuar që këtë zhgënjim t’ia kumtojë homologut të tij në Paris.
“Vendimi i një gjykate në Francë për Z. Haradinaj është edhe zhgënjyes edhe i papranueshëm. Ne kemi pritur që Z. Haradinaj të kthehej në Kosovë sepse nuk ka asnjë arsye që ai të qëndrojë në Francë. Unë kam biseduar me zotin Haradinaj pas vendimit, dhe jemi në koordinim edhe me Qeverinë se si t’i qasemi një çështjeje të tillë. Ndalimi i zotit Haradinaj, është vazhdimësi e politikës që e ka ndjekur Serbia ndaj Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai tha se akuzat e Serbisë janë të papranueshme dhe ka bërë thirrje tek partitë politike se nuk duhet të kenë qasje urrejtjeje ndaj shtetit të Francës.
Gjykata në Colmar të Francës ka marrë sot vendim që seanca për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, të shtyhet më 6 prill.