Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot Burgun e Dubravës, me miq e bashkëpunëtorë, siç thotë ai për të nderuar të mbijetuarit e masakrës që kishte shokuar Kosovën 22 vjet më parë.
Hoxhaj përmes facebook-ut, thotë se për këtë akt, çdo ditë që kalon ende pa drejtësi për viktimat e kësaj masakre, është vrasje e përsëritur për familjarët e viktimave por dhe atyre që i mbijetuan këtij tmerri, njofton Klan Kosova.
”Me miq, bashkëpunëtorë e kolegë sot isha në Burgun e Dubravës, për të kujtuar të rënët dhe për të nderuar të mbijetuarit e Masakrës që shokoi Kosovën 22 vjet më parë, në maj të vitit 1999.
Kur një burgu të madh politik si Jugosllavia po i vinte fundi, si rezultat i luftës tonë çlirimtare të UÇK-së, në burg të Dubravës me urdhër të Millosheviqit dhe regjimit të tij gjenocidal u realizua masakër mbi shqiptarë me duar të lidhura e të pambrojtur.
Mbi 150 shqiptarë të vrarë brenda burgut dhe mbi 300 të tjerë të plagosur, janë dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë. Përkundër fakteve që ulërisnin dhe lidhnin direkt kriminelin Millosheviq me urdhërdhënie, kryeprokurorja Del Ponte qëllmishëm nuk përfshiu këtë masakër në aktakuzën e saj kundër tij, duke ua mohuar drejtësinë qindra shqiptarëve.
Çdo ditë që kalon pa drejtësi për viktimat e Masakrës së Dubravës, është vrasje e përsëritur për familjet e viktimave dhe atyre që i kanë mbijetuar këtij tmerri.
Paradoksi fatkeqësisht vazhdon edhe sot, ku në vend të kriminelëve që kryen këtë masakër, drejtësia ndjek çlirimtarët e UÇK-së. Megjithatë, edhe pse rruga për drejtësi është e mundimshme, shpeshherë edhe e gjatë, motivi e vullneti ynë është më i madh.
Nuk ka amnisti të gjenocidit serb në Kosovë! Liri për çlirimtarët!”