Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeminisër, Enver Hoxhaj, shoqëruar nga nënkryetari i PDK-së kanë vizituar sot disa biznese në komunën e Fushë Kosovës, pronarët e të cilëve janë nga Lugina e Preshevës.
Hoxhaj gjatë vizitës në bizneset e vogla dhe të mesme “M&A Carpet”, “Metal Tech” dhe “Kiki&Lighting” ka ritheksuar se përmes planit të PDK-së për Rimëkëmbje ekonomike do të ofrohen lehtësira fiskale për zhvillimin e bizneseve, në veçanti për prodhuesit nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, që duan të eksportojnë në Kosovë.
“Me programin tonë më të mirë të Rimëkëmbjes, prodhuesve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci do t’ju njihet statusi i privilegjuar në Republikën e Kosovës ku do të përfitojnë nga lirimi i tatimeve doganore. Programi jonë, gjithashtu ua thjeshtëzon procedurat e eksportit të mallrave në Kosovë. Me këtë plan, të gjithë banorëve të Luginës do t’u lejohet punësimi i barabartë me qytetarët e Kosovës në institucione.”, ka thënë ai.
Tutje, Hoxhaj ka thënë se prioritet i qeverisë së tij do të jetë ngritja ekonomike përmes mbështetjes për sektorin privat.
“Në këto zgjedhje ka dy alternativa, njëra alternativë është që përmes sektorit privat të krijojmë vende të reja të punës, ta rrisim ekonominë, ta rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe një alternativë tjetër që përkrahet nga VV që është një alternativë e së kaluarës. Prandaj, edhe me arkitektin biseduam për të gjitha kërkesat, propozimet dhe shqetësimet që kanë, në mënyrë që të përmirësohet edhe më shumë mbështetja e qeverisë së Kosovës për bizneset e tilla”, ka theksuar Hoxhaj.