Hoxhë Gashi për seksizmin e Shefqet Krasniqit: Disa hoxhallarë me mujtë krejt gratë i shtinë në ferexhe

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Hoxha i njohur, Drilon Gashi, ka folurn në lidhje me deklaratat seksiste të shprehura nga hoxha Shefqet Krasniqi.

Gashi – që është përjashtuar nga Bashkësia Islame e Kosovës [BIK] për shkak se ka mbështetur teorinë e Darwinit për origjinën e specieve – ka bërë me faj vetë hoxhë Krasniqin për deklaratat dhe jo fenë islame.

“Ajo që duhet ta dimë gjithashtu është se kur flet një mullah [si Shefqet Krasniqi] nuk është kah flet islami, por po flet filani dhe personaliteti i tij i pakonfirmuar, po flasin njohuritë apo budallakitë e tij rreth asaj çka ka kuptuar!” – ka deklaruar ai për Periskopin.

Gashi ka deklaruar edhe se ka hoxhallarë tjerë të cilët kanë shprehur mendime të tilla përçmuese për pozitën e gruas në shoqëri.

“Disa mullaha me mujt t’gjitha grate e Kosoves i shtine n’ferexhe e jau bojne fene baski.” – thotë ai.

Ai ka përmendur se paragjykime seksiste kanë pasur edhe mendimtarë të mëdhenj, ku përmend mes tyre Immanuel Kantin, Friedrich Nietzschen, Georg Wilhelm Friedrich Hegelin e të tjerë.

“Islami i vërtetë beson në vlerën dhe rëndësinë e barabartë të grave, vajzave, burrave dhe djemve për shoqërinë, dhe rëndësinë e barazisë në trajtimin e të gjithë njerëzve, pavarësisht nga statusi i tyre dhe pavarësisht prej disa zakoneve patriarkale, qofshin ato tradita arabe apo shqiptare.” – shton më tej z. Gashi.

Intervista e plotë:

Periskopi:  

Në një emision mbrëmë, z. Shefqet Krasniqi dha një deklaratë që u konsiderua si seksiste se “gruaja përket në kuzhinë e burri në odë”. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Drilon Gashi:

Fillimisht, urime Muaji i Ramazanit.

E lus Zotin që të zgjohemi prej gjumit dhe ta shohim realitetin gjatë këtij muaji e tutje!

E kam dëgjuar këtë gaf. Në të vërtetë nuk është një gaf, por një maskë e zbuluar, “pahiri”, që tregon realitetin tonë të cilin nuk mund ta aktrojmë çdo herë.

Mendime të tilla kemi degjuar edhe me heret edhe prej hoxhallarëve dhe profesorëve të tjerë. Bashkësisë Islame para një kohe i pengonte fryma ime iluministe. Si duket ajo tashmë ka bërë një kompromis të hidhur me mosreformimin e mendimit, dhe le të vazhdojë!

Budistat e kanë një fjalë të mire, thonë: Le ta shijojë secili karmen e vet!

Historia e filozofisë, politikës dhe fesë deri në shekullin XX, është fund e krye seksiste, përfshirë këtu filozofët më të mëdhenj Perëndimorë, Niçen, Kantin e Hegelin.

Aristoteli nuk i ka pranuar në shtetin e tij si qytetar.

Frojdi: Gratë janë të përshtatshme vetëm për të kënaqur dëshirat e burrave.
I shenjti Toma Akuini: Gratë janë faji i natyrës që kanë lindur nga spermatozoidi i keq.
I shenjti John Damaskus: Gruaja është një gomaricë kokëfortë.
Schopenhauer: Gratë janë kafshë me flokë të gjata dhe mendje të shkurtra.
Çifutët e dëbonin gruan nga shtëpia e saj në kohën e menstruacioneve të saj, dhe ditët e tyre i kalonin në hambarin e bagëtive.

Patriarkati ka qenë dhe vazhdon të mbetet dominant pothuajse gjithandej, edhe pse në disa vende në forma më të buta.

Si çdo sistem edhe kalifate I ashtuquajtur islam, operonte me koncepte patriarkale, dhe historia e interpretimit të islamit e reflekton këtë qartë.

Bile janë munduar që edhe mëkatin të cilin e bëri Adami, me ja mveshë Evës, kinse ajo e paska joshur burrin e saj për këtë gjë.

Kur gjykojmë me emocione e jo me intelekt, atëherë ne meshkujt do të vazhdojmë ta konsiderojmë femrën si armik, po kështu edhe femrat në anën tjetër do të vazhdojë ta konsiderojë mashkullin si të tillë.

Jo vetëm gjininë e kundërt, por edhe personin tjetër, kushdo qoftë ai, njeri shpeshherë e sheh konkurrent, kundërshtar, rival, e kështu me radhë.

Periskopi:

A mendoni se shumë hoxhallarë tjerë kosovarë kanë qëndrime diskriminuese ndaj grave dhe a besoni që brenda kontekstit tonë fetar është i mundur një hoxhë feminist?

Drilon Gashi:

Ajo që duhet ta dijmë gjithashtu është se kur flet një mullah, nuk eshte ka flet Islami, por po flet filani dhe personaliteti i tij I pakonfirmuar, po flasin njohuritë apo budallakitë e tij rreth asaj çka ka kuptuar!

Disa mullaha me mujt t’gjitha grate e Kosoves i shtine n’ferexhe e jau bojnë fenë baski.

Disa klerikë fetarë edhe Zotin e konsiderojnë mashkull sikur vetveten!

Duhet ta pranojmë, kemi shumë maska dhe bërllok në qenien tonë, të gjithë.

Krejt kjo histori e mendimit dhe trajtimit inferiore të tjetrit, sipas intelektit të kulluar dhe shpirtit dhe zemrës besimtare është trajtim i padrejtë.

Shpirti nuk ka gjini –thoshte Platoni.

Periskopi: 

Si e sheh Islami gruan?

Drilon Gashi:

Islami i vërtetë beson në vlerën dhe rëndësinë e barabartë të grave, vajzave, burrave dhe djemve për shoqërinë, dhe rëndësinë e barazisë në trajtimin e të gjithë njerëzve, pavarësisht nga statusi i tyre dhe pavarësisht prej disa zakoneve patriarkale, qofshin ato tradita arabe apo shqiptare.

Gjatë kohës së shpalljes së Islamit në Arabinë e shekullit të VII, Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) bëri përpjekje të mëdha për të përmirësuar statusin shoqëror të grave të kohës. Njohja e Kuranit të Shenjtë për gratë si trashëgimtare të ligjshme të pasurisë së tyre së bashku me burrat, u dha atyre statusin ligjor që u kishte munguar më parë. Vëmendja e Profetit për gratë dhe konsultimi i tij me to, pasqyrojnë atë që ne mund t’i referohemi sot si etika e gjithëpërfshirjes së Islamit.

Kurani i Shenjtë thotë: “Me të vërtetë, muslimanëve dhe muslimaneve, dhe besimtarëve dhe besimtareve, dhe të dëgjueshmëve dhe të dëgjueshmeve, dhe të sinqertëve dhe të sinqertave, dhe të durueshmëve dhe të durueshmeve, dhe të përulurëve dhe të përulurave, dhe atyre që japin lëmoshë dhe ato që japin lëmoshë, dhe atyre që agjërojnë dhe ato që agjërojnë, dhe ata që i ruajnë organet e tyre gjenitale, dhe ato që i ruajnë (organet e tyre gjenitale), dhe të cilët e përmendin shpesh Perëndinë, dhe të cilat e përmendin (Perëndinë), – me të vërtetë, për të gjithë këta, Perëndia ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (33:35)

Gjatë ditëve të hershme të Islamit, gruaja e Profetit, Khadixhja e Ndershme, ka qenë një tregtare e suksesshëm, e cila administroi biznesin e karvaneve në Mekë dhe e përdori pasurinë e saj për të mirën e të tjerëve. Pasi profeti Muhamed mori shpalljen, ajo u bë personi i parë që e pranoi atë si lajmëtarin e fundit të Allahut xh.sh.

Vajza e tyre e dashur zonja Fatime, e cila ishte martuar me Hazret Aliun, u konsiderua si shumë e zellshme, e vendosur dhe gjithnjë e dobishme. Ajo është njohur si Fatime Zahraja, Fatimeja Ndriçuese.

Në mënyrë të ngjashme, Zejnabi e Devotshme, fëmija i tretë i Hazret Aliut dhe Fatime Zehrasë, vlerësohet shumë nga myslimanët për rezistencën e saj ndaj shtypjes dhe këmbënguljes për drejtësi. Pikëpamja e saj e guximshme dha një shembull për komunitetin e kohës dhe ajo u konsiderua një burim mençurie për gratë e tjera.

Kur komuniteti mysliman u rrit dhe u përhap gjeografikisht, shumë gra të tjera do të japin kontribute të rëndësishme në shoqëritë e kohës së tyre, besa shpeshherë do të lënë ndikim të pashlyeshëm në historinë Islame.

Në shekullin e tetë, Rabia el-Adewiya lindi në një familje të varfër dhe jetime gjatë një kohe urie, e cila bëri që ajo të shitej si skllave. Pasi zotëria e saj e liroi për kushtimin e patundur ndaj Zotit, ajo jetoi në vetmi jashtë Basrës, në Irak. Ideja e dashurisë hyjnore e frymëzoi Rabian, dhe ajo u bë e njohur si shenjtorja e parë Sufike femër. Ajo shquhet për dashurinë e madhe të saj ndaj Zotit dhe shprehjet e saja përmes poezisë. Pikëpamjet e saj mbi dashurinë hyjnore u miratuan nga mjeshtrat dhe filozofët e mëvonshëm sufistë. Duke reflektuar nga mësimet e Hazret Aliut, ajo theksonte:

“O Zoti im! Nëse po të adhuroj nga frika e zjarrit, më digj në zjarret e ferrit;

dhe nëse po të adhuroj nga dëshira për parajsë, ma moho parajsën.

Por nëse po të adhuroj vetëm për veten tënde,

atëherë mos më moho pamjen e fytyrës tënde madhështore ”.

Gjatë periudhës së kalifatit Umejad në Andalusi (711 – 1031), janë angazhuar disa grupe grash në jetën e lulëzuar kulturore të Kordobës, në Spanjë. Në mesin e tyre ishte edhe Princesha Wallada; intelektualja dhe matematikanja Lubna dhe bibliotekistja e njohur Fatima, e cila blente libra për bibliotekën mbretërore. Gjatë kësaj kohe, disa gra gjithashtu punuan si zyrtare të khalifit ndërsa të tjerat i kushtuan kohë studimit të Kuranit dhe hadithit.

Princesha Wallada tregon pavarësinë e saj në një poezi ku shkruan:

“Për Zotin, unë jam e aftë për mrekulli dhe eci me shumë krenari”.

Në kohën e halifatit Abasid (750 – 1258), gjatë të ashtuquajturës Epoka e Artë e Islamit, u ofruan mundësi edhe më të mëdha për të mësuar dhe marrë pjesë në ndjekjen e njohurive. Në përpjekjen për të mësuar më shumë rreth krijimit të Allahut, astronomja e shquar femër Mariam al-Ijliya përparoi dhe rregulloi instrumentet greke të tilla si astrolaba në Sirinë e shekullit të 10. Astrolabi ndihmoi në krijimin e kohës, mati lëvizjen e planetëve dhe yjeve dhe përcaktoi pozicionin gjatë udhëtimeve, duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm në atë që më vonë do të bëhej e njohur si shkenca hapësinore.

Në epokën Fatimide (909 – 1171), kur Kalifët Ismaili mbretëruan bregdetin e Mesdheut Jugor, përfshirë Tunizinë e sotme, Egjiptin dhe pjesë të Sirisë, gratë gjetën përfaqësim në disa sfera të jetës. Kur al-Zahir u bë imam në moshën e tij të re, tezja e tij Sulltaneshë zonja al-Mulk, kishte shërbyer si një këshilltare e besuar dhe ishte emëruar të shërbejë si Regjente. Ajo e përdori bujarisht pasurinë e saj drejt qëllimeve bamirëse dhe u angazhua në negociata diplomatike me përfaqësuesit e Perandorisë Bizantine gjithashtu.

Islami inkurajon besimtarët të përmbushin përgjegjësitë e tyre sa më mirë në kohën që u është dhënë. Edhe në kohët bashkëkohore, pavarësisht pengesave dhe prapambeturive të ndryshme, ka gjithashtu edhe shumë histori të grave muslimane që kanë krijuar një ndikim të fortë dhe pozitiv në shkallë globale.

Anousheh Ansari, për shembull, një sipërmarrëse dhe inxhiniere iraniano-amerikane, ishte gruaja e parë muslimane që eksploroi hapësirën, dhe është gruaja e parë e vetë-financuar që fluturoi në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Bashkëshortja e Mbretit të Jordanisë, Mbretëresha Rania al-Abdullah, ka kontribuar në mënyrë aktive në kohën dhe burimet e saj drejt arsimit global, fuqizimit të të rinjve dhe komunitetit, mikrofinancës dhe dialogut ndërkulturor. Për punën e saj, ajo është vlerësuar me dekorata të ndryshme nga qeveri të shumta.

Malala Yousafzai ka avokuar për edukimin e vajzave që në moshë të re. Pasi i mbijetoi një atentati në Pakistan në 2012, ajo ka vazhduar aktivizmin e saj në të gjithë botën. Ajo është laureatja më e re e Çmimit Nobel për Paqe dhe themeloi organizatën jofitimprurëse, Malala Fund.

Brenda komunitetit mysliman, ka gra që sot po japin një kontribut të rëndësishëm në shoqëri dhe gjatë këtij procesi janë ngritur në krye të profesioneve të tyre të zgjedhura, në fusha të ndryshme si biznesi, media dhe transmetimi, akademia dhe shërbimi publik.

Sot edhe realiteti ynë  me të gjitha të metat tona është ndryshe. Në “oden” e pare te shtetit po qeveris nje grua dhe ne duhet të jemi shembull dhe krenarë për këtë.

Shote Galica, Xhevë Lladrovci, e shumë e shumë heroina tona.

Edhe në vendin tonë pra, në mënyrë që të sigurojmë një cilësi të përmirësuar të jetës, pjesëmarrja e grave në shoqëri është jetike. Ato duhet të jenë prezente, nga arsimi deri te shëndetësia, duhet të marrin pjesë edhe në qeverisjen lokale deri te udhëheqja e bizneseve, sepse shumë prej tyre kanë potenciale të shumta, nganjëherë shumë më shumë sesa shumë burra, prandaj, gratë dhe burrat duhet të punojnë së bashku, duke respektuar etikën e Islamit, për të ndërtuar komunitetin tonë.

Le të përpiqemi më tej për barazi në jetën tonë të përditshme, duke vendosur kështu një themel të fortë dhe shembull për brezat e ardhshëm.

As maskulizëm, as feminizëm, por njerëz, me të drejta të barabarta dhe role dinjitoze

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme