Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) duhet të ndihmojë komunat në arritjen e qëllimeve duke sjellë çasje të disiplinuar për të përmirësuar procesin e qeverisjes, e jo të merret vetëm me publikimin raporteve.
Këto komente ai i ka bërë në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim në të cilën u diskutua për caktimin e grupit punues për monitorimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për financat e Pushtetit Lokal, raporton Ekonomia Online.
“Gjatë tryezës me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm theksova se nga buxheti i Kosovës i vitit 2017 komunat shpenzojnë mbi 440 milionë euro, prej tyre 248 milionë shkojnë për paga dhe mëditje, kurse 133 milionë shkojnë për investime kapitale”, ka thënë Tahiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Në prezantimin tim theksova se Zyra e Auditorit duhet që përveç raporteve të veta të ndihmojë komunat që të arrijnë objektivat e veta. Kjo duhet të ndodhë duke sjellë një qasje të disiplinuar dhe sistematike të vlerësimit për të përmirësuar efektivitetin, menaxhimin e rrezikut, kontrollit dhe procesin e qeverisjes”, ka thënë Tahiri.