Këto ditë po flitet shumë për vendimin e kohëve të fundit të administratës amerikane që Huawei Technologies ta vë në listën e zezë dhe t’u ndalohet kompanive amerikane bashkëpunimi dhe biznesi me gjigantin kinez. Google ka njoftuar më parë se është duke e tërhequr licencën për Android nga Huawei, për çfarë e detyroi vendimi nga Administrata amerikane. Në ndërkohë, Ministria e Tregtisë së SHBA-ve e ka shtyrë në mënyrë efektive efektivitetin e këtyre urdhrave gjatë 90 ditëve të ardhshme, duke filluar nga 21 maji, raporton Reuters.
Gjatë periudhës së tre muajve të ardhshëm, Huawei do të jetë në gjendje të blejë produkte dhe shërbime të krijuara në Amerikë që ta mbajë rrjetin ekzistues dhe t’u ofrojë azhurnime softuerike pajisjeve ekzistuese Huawei, sipas raportit të Reuters. Megjithatë, kompanisë kineze ende i ndalohet të blejë pjesë dhe komponente të prodhuesve amerikane, të cilat do të përdoreshin për produktet e reja, pa miratimin për licencat të cilat me siguri do të refuzoheshin, shkruan KOHA Ditore.
Gjatë 90 ditëve të ardhshme, Huawei do të jetë në gjendje që me Google t’i certifikojë azhurnimet e sistemit operativ për telefonat ekzistues. Mbetet të shihet nëse kjo periudhë do të jetë e mjaftueshme për ta përfshirë në certifikim edhe licencën për azhurnimet Android Q për telefonat ekzistues, por nuk ka dyshim që Huawei do të bëjë çmos për ta arritur këtë.
Licenca e përkohshme e Androidit, të cilën e mori Huawei, skadon më 19 gusht.