Gjykata Themelore në Prizren e ka hudhur poshtë aktakuzën dhe e ka pushuar procedurën penale ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, i akuzuari për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Kjo gjykatë, më 17 dhjetor 2019, ka nxjerrë aktvendim me të cilin e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj Baldedajt.
Sipas aktvendimit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kërkesa e mbrojtjes për kundërshtimin e provave është refuzuar si e pabazuar, pasi që sipas gjykatës, provat janë mbledhur në mënyrë ligjore.
Por, sipas pikës dy të aktvendimit, këto prova nuk janë të mjaftueshme që të mbështetet dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale, siç ngarkohet me aktakuzë.
Aty thuhet se kundër aktvendimit për hudhjen e aktakuzës, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese brenda pesë ditësh nga dita e pranimit të aktvendimit në Gjykatën e Apelit, derisa thuhet se pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest juridiko civil.
Në seancën fillestare të mbajtur më 28 tetor të këtij viti, Baldedaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.
Kurse, në shqyrtimin e dytë të mbajtur më 12 dhjetor 2019, i akuzuari dhe avokati Visar Haxhibeqiri, kishin kërkuar hudhjen e kësaj aktakuze.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Baldedaj, akuzohet se me 13 maj 2018, e deri më 22 maj 2018 , në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare, laptop dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizata buxhetore.
Në aktakuzë thuhet se për tre laptop të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19.350.00 euro.
Ndryshe, Ilir Baldedaj edhe në një rast tjetër akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai më 25 maj të vitit 2018, si ish-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, në rastin ku akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.