Hudhet si e palejuar kërkesa e avokatit për përjashtimin e trupit gjykues në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Ferizaj | 29 Mar 2022 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit më 17 mars 2022 ka vendosur në lidhje me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Naset Pajazitaj, avokatit Gëzim Kollçaku, duke e hudhur të njëjtën si të palejuar.

Më 10 mars 2022, avokati Gëzim Kollçaku ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të përjashtohet Gjykata Themelore në Ferizaj nga gjykimi në rastin e Naser Pajazitajt, me arsyetimin se sipas tij, familjarët e të akuzuarit konsiderojnë se ky trup gjykues ka anshmëri për palën e dëmtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktvendimit të Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kërkesa e avokatit Kollçaku, është refuzuar si e palejuar.

“Hudhet si e palejuar kërkesa e parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Naser Pajazitaj, avokati Gëzim Kollçaku, për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues-gjyqtarit Ibrahim Idrizi dhe të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Ferizaj, nga gjykimi i lëndës 2021:011515”, thuhet në këtë aktvendim.

Sipas aktvendimit të Apelit, kjo kërkesë është refuzuar si e palejuar, duke pasur parasysh se sipas kërkesës së mbrojtësit të të pandehurit Naser Pajazitaj, avokatit Gëzim Kollçaku në rastin konkret është kërkuar përjashtimi i kryetarit të trupit gjykues dhe përjashtimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj në tërësi, andaj e njëjta kërkesë duhet të hudhet si e palejuar.

Në aktvendim thuhet se u.d. i kryetarit të Gjykatës, pas vlerësimit të kërkesës së lartcekur për përjashtim si dhe duke pasur parasysh dispozitën e nenit 41, paragrafi 4 të KPPRK-së, e cila shprehimisht përcakton se “Pala mund të kërkojë përjashtimin vetëm të gjyqtarit që e trajton çështjen”.

Në rastin konkret thuhet se duke qenë se kërkesën e mbrojtësit të pandehurit është kërkuar edhe përjashtimi i Gjykatës Themelore në tërësi, atëherë aty thuhet se u.d., kryetari i Gjykatës së Apelit duke vepruar konform dispozitës së nenit 42 paragrafi 4 të KPPRK-së, e cila përcakton se “Në qoftë se kërkesa për përjashtim është në kundërshtim me dispozitat e nenit 41, paragrafët 4. dhe 5. të këtij Kodi, kërkesa hudhet në tërësi ose pjesërisht”, andaj e njëjta është hudhur.

Kështu, Apeli duke vendosur si në dispozitiv të këtij aktvendimi, e ka hudhur kërkesën për përjashtim, si të palejuar.

Seanca e radhës për këtë rast janë caktuar më 4, 7 dhe 8 prill 2022.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Të ngjashme