Qelizat e gjalla janë të lidhura si çipat kompjuterikë, duke përdorur sinjale të drejtpërdrejta për t’i udhëzuar ato se si të funksionojnë, por gjithashtu mund ta ndryshojnë sjelljen me shpejtësi – diçka që çipat nuk mund ta bëjnë, sugjeron hulumtimi i ri nga Universiteti i Edinburgut.
Zbulimi i rrjetit të gjerë qelizor e thellon të kuptuarit e shkencëtarëve se si udhëzimet përhapen përmes trupit. Hulumtimi i ri gjeti informata të bartura në një rrjet të telave udhëzues që transmetojnë sinjale nëpër distanca të vogla, nanoshkallore, transmeton “Koha Ditore”. Lëvizja e molekulave të ngarkuara nëpër distanca të vogla që transmetojnë informacione, ngjashëm me atë se si funksionon një mikroprocesor kompjuteri.
“Kemi zbuluar se funksioni i qelizës koordinohet nga një rrjet nanogypash, të ngjashme me nanogypat e karbonit që i gjeni në një mikroprocesor kompjuteri”, tha prof. Mark Evans, nga Qendra e Universitetit të Edinburghut për Shkencat e Zbulimit të Trurit.
“Gjëja më e mahnitshme është se ky qark është shumë fleksibil, pasi që ky rrjet i gjerë qelizor mund të rikonfigurohet me shpejtësi për të dhënë rezultate të ndryshme në një mënyrë të përcaktuar nga informacioni i marrë nga dhe lidhur me bërthamën. Kjo është diçka që asnjë mikroprocesor apo qark i bërë nga njeriu nuk është i aftë ta arrijë”, tha Evans.
Duke përdorur mikroskopë të fuqishëm, shkencëtarët ishin në gjendje ta vëzhgonin rrjetin e lidhjeve me ndihmën e teknikave kompjuterike të ngjashme me ato që u mundësuan astronomëve ta shihnin vrimën e zezë.
Këto sinjale i thonë qelizës muskulore, për shembull, që të relaksohet ose të kontraktohet. Kur një qelizë lëviz nga një gjendje e qëndrueshme në një fazë të rritjes, rrjeti rikonfigurohet për të transmetuar sinjale që kalojnë në gjenet e nevojshme për rritje.