Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, shprehu zhgënjimin e tij për moszbatimin e grantit të katërt qeveritar, i cili ishte premtuar nga qeveria aktuale në fillim të mandatit.
Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se mungesa e këtij granti ka ndikuar drejtpërdrejt në ngecjen e realizimit të projekteve jetike për komunën, e cila ka një buxhet të kufizuar dhe varet shumë nga mbështetja nga niveli qendror.
“Në fillim të mandatit të marrjes së kësaj qeverie, ishte dhënë një premtim që do të aplikohej granti i katërt qeveritar, ku siç e dimë në atë kohë, kishte vlerën diku 600 milionë euro. Duke ditur që komuna e Kaçanikut që ka një buxhet jashtëzakonisht të vogël dhe në pamundësi për të realizuar projekte, ne kemi besuar që do të implementohet ai grant qeveritar dhe duke e krahasuar formulën financiare, siç shkon nëpër komuna të tjera, diku komunës së Kaçanikut nga 600 milion për katër vjet, do t’i takonin diku 12 milionë. Pikërisht, jemi bazuar në vlerën e kësaj shifre edhe u kemi premtuar qytetarëve që do të realizohen nëse do të implementohej Granti i katërt qeveritar për t’i realizuar këto projekte. Siç e dimë deri më sot, ai grant nuk është implementuar dhe po ashtu projektet në komunën e Kaçanikut kanë mbetur të parealizuara”, tha Ilazi.
Ai bëri thirrje që qeveria e ardhshme, cilado qoftë ajo, të marrë parasysh prioritetet e komunave dhe të rifillojë komunikimin me pushtetin lokal.
“Me qenë se granti qeveritar ka dy vjet që nuk po flitet nga qeveria, por megjithatë kishim kërkuar nga qeveria, nga cilado qeveri që do të formohet tash e tutje, po shpresojmë shumë shpejt që të formohet qeveria e re, do të kishim kërkuar që sidomos projektet, të cilat janë me prioritet për komunat, por edhe për Komunën e Kaçanikut që kemi adresuar te niveli qendror nëpër dikastere, së paku të marrim një përgjigje pozitive në realizimin e atyre projekteve që mendoj që janë jetike, sidomos për komunën e Kaçanikut, sidomos për impiantet ku në komunën tonë e përshkojnë dy lumenj”, tha Ilazi.
Kryetari i Kaçanikut kritikoi qeverinë në detyrë për mosbashkëpunim, duke thënë se me qeverinë Kurti kanë pasur një zbehje të komunikimit.
Ilazi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, duke vlerësuar se një komunikim më i mirë do të ndikonte drejtpërdrejt në përmbushjen e nevojave të qytetarëve.
“Është fatkeqësi për shkak se unë jam në mandatin e katërt qeverisës dhe kam pasur fatin të kemi kryeministra të të gjitha partive politike, por një zbehje e raporteve ose komunikim aq i zbehtë mes nivelit qendror dhe lokal nuk ka ekzistuar. Shpresojmë që tani e tutje, së paku të thërrasin ndërgjegjen, cilado qoftë palë, nuk po paragjykoj, cili është fajtor, por megjithatë, të arrijmë një konsensus, një bashkëpunim, mirëkuptim mes veti që së paku të realizojmë ato projekte, që janë jetike për qytetarët e që ato kanë një kërkesë reale dhe shumë të logjikshme”, përfundoi ai.