Është një mëngjes i kthjelltë vjeshte dhe qindra burra janë mbledhur për ta varrosur Najmullahun, komandanti i nderuar i milicisë në fshatin Varduj.
Ai kishte rënë në betejë kundër talebanëve. Thuhet se Najmullahu asnjëherë nuk kishte shfaqur shenja frike. Thonë se s’i trembej syri. Ai gjithnjë shoqërohej prej bashkëluftëtarëve dhe i donte pemët më shumë se gjithçka tjetër.
Imami këndon ajete Kurani para trupit të burrit të njohur. Trupi është shtrirë në hijen e oborrit. Të afërmit e Najmullahut pastaj e kapin tabutin që e bartin nëpër rrugën e vjetër të pazarit derisa po e çojnë te varrezat. Xhemati ecën prapa, thuajse askujt nuk i ndihet zëri, shkruan “Der Spiegel”, përcjell Koha Ditore.
Dy armiqtë në të njëjtat varreza
Me nëntë varre të reja që janë hapur në dy javët e fundit, thuajse nuk ka mbetur vend te varrezat. Toka ndanë lumit është shumë e çmueshme, dhe nuk është se ka mbetur tokë boll.
Dhe në momentin kur burrat afrohen te varrezat, xhemati ndahet në dy grupe. Njëri do ta varrosë Najmullahun, derisa tjetri do të merret me ceremoninë e varrimit të Bahredinit, një luftëtari gjashtëmbëdhjetë vjeç, që kishte luftuar në radhët e talebanëve. Ai ishte vrarë gjatë luftimeve të një nate më parë. Imami këndon ajete Kurani edhe për këtë riosh.
Komandanti thuajse pesëdhjetë vjeç dhe luftëtari i ri taleban, të cilit ende nuk i kishte dalë mjekra, ishin të dytë nga i njëjti fshat, Chakaran. Është fshat me dyqind familje, ku gjithsecili ka njëfarë lidhje gjaku a miqësie me tjetrin. Por kjo nuk kishte mjaftuar që dy burrat të mos ia kthenin pushkën njëri-tjetrit. Të dytë do të vriteshin për një ditë, porse njëri teksa po luftonte në radhët e forcave qeveritare që po mundohen të vënë dorën mbi territorin, dhe tjetri në krahët e talebanëve që po mundohen të kthejnë kontrollin e dikurshëm në krejt Afganistanin. Megjithëse luftuan në taborë të ndryshëm, dy burrat duhet të varrosen në të njëjtat varreza.
Imami i kishte udhëzuar banorët që t’i hapnin varret sa më afër njëri-tjetrit. Toka është shumë e çmuar në këto anë. Madje kërkohet që varret të jenë sa më të ngushta. Sa për të zënë trupat e burrave.
Shumë burra mbajnë fjalime që e çojnë në qiell luftën e komandantit pas katër vjetësh luftimesh për çlirimin e krahinës nga talebanët. Por a do të mund të mbahet rendi i ri? Shumica lëvizin kokën në shenjë mohimi. Po të mos ishin helikopterët amerikanë që do të asgjësonin katër pozicionet prej nga talebanët po gjuanin me mitraloza, atëherë zor se do të mbahej gjatë kontrolli i forcave qeveritare. Ndihma do të vinte edhe nga njësite speciale afgane që u nisën me makina amerikane nga kryeqyteti.