Në zgjedhjet komunale në Hungari ka humbur dukshëm partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban. Fidesz ka humbur shumicën në shumë qytete, ndër to edhe në kryeqytet.
Në Budapest ka humbur pushtetin kryetari i bashkisë, Istvan Tarlos, nga partia populiste e djathtë Fidesz, e cila është në pushtet atje prej vitit 2010. Komisioni zgjedhor bëri të ditur pas numërimit të 90% të votave se kryetari i deritanishëm i bashkisë ka fituar vetëm 44,3 % të votave. Ndërsa kundërshtari i tij nga e qendra e majtë, Gergely Karacsony ka fituar 50,5 %, që është një fitore shumë më e thellë se sa që pritej.
Përveç kësaj, kandidatët e opozitës i kanë fituar zgjedhjet në 13 nga 23 qarqet zgjedhore në Budapest. Deri tani Fideszi ka pasur 17 kryetarë bashkie të rretheve të kryeqytetit. Në bashkinë e Budapestit opozita do të ketë 18 ndërsa Fidesz-i 14 mandate. Edhe këtu partia e Viktor Orbanit e ka humbur shumicën e deritanishme.
Aleancat opozitare fitojnë në shumë qytete
Opozita ka kandiduar kësaj radhe me aleanca të gjëra në shumë qytete dhe komuna, duke përfshirë jo vetëm parti politike por edhe shoqërinë civile. Kështu Karacsony për shembull ka fituar me aleancën e ekologjistëve dhe lieralëve – Partia Dialogu për Hungarinë. Në vitin 2014 ai kishte fituar me mbështetjen e socialistëve kandidaturën për kryetar bashkie në rrethin Zuglo në Budapest.
Aleancat opozitare kanë fituar edhe në qytete tjera të mëdha në Hungari. Kandidatët opozitarë kanë fituar ndër të tjera edhe në Pecs, Miskolc, Szombathely dhe Eger, ku më parë kryetarët e bashkive kanë qenë nga partia Fidesz. Ndërsa në bashkitë rurale më shumë vota kanë fituar përfaqësuesit e partisë në pushtet dhe kandidatët e pavarur.
Orban minimizon vlerën e zgjedhjeve
Në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjeve Karacsony ka folur për “një fitore historike për Budapestin”. Qytetarët “do ta rimarrin qytetin e tyre nga pushteti (i Orbanit)”. Ai foli për një Budapest të shekullit 21, të cilin do ta çojë në mes të Evropës, atje “ku gjithmonë e ka pasur vendin”. Fitorja e opozitës është një lajmëtar i ndryshimeve dhe kthesës në të gjithë vendin, pohon Karacsony.
Humbja është një grusht i rëndë për partinë në pushtet dhe kryeministrin Viktor Orban, i cili është në pushtet prej vitit 2010. Orbani po përpiqet që të ulë domethënien e kësaj humbjeje. “Fidesz edhe më tej është partia më e fortë në Hungari”, tha ai, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve në zonat rurale. Orbani i ka ofruar një lloj bashkëpunimi opozitës e cila në të ardhmen do të qeverisë në Budapest, por pa dhënë detaje për këtë bashkëpunim. Simpatizantët e Orbanit kanë kërcënuar gjatë fushatës se bashkitë, të cilat bien në duart e opozitës nuk do të marrin më para nga qeveria.
Fitorja e kandidatit të Fidesz, përkundër skandalit
Shkaqet për suksesin e opozitës janë të shumta. Në veçanti në zonat qendrore të vendit është rritur frustrimi për shkak se partia e Orbanit gjatë viteve të kaluara ka vënën nën pushtetin e shtetit shkollat dhe institucionet e shëndetësisë. Më parë ato janë drejtuar nga organet e bashkive dhe komunave.
Fushata zgjedhore ka qenë e ngarkuar edhe me skandalet seksuale të kryetarit të bashkisë Györ, Zsolt Borkai, nga partia Fidesz. Një bloger anonim ka botuar një video-klip, ku Borkai shihet në orgji seksuale në një anije luksoze. Borkai është i martuar dhe ka dy fëmijë të rritur. Blogeri ka ngritur edhe çështjen e aferave të mëdha korruptive kundër kryetarit të bashkisë, por pa paraqitur argumente. Borkai megjithatë ka fituar në qytetin e tij, por me një rezultat shumë të ngushtë.