Humolli: Masat nuk është dashur të ndërpriten fare

Prishtinë | 17 Qer 2020 | 20:36 | Nga Ekonomia Online

Isme Humolli, drejtoreshë e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, në emisionin Desku në KTV ka thënë se masat nuk është dashur të largohen fare.

“Masat nuk është dashur të ndërpriten fare. Kushti i parë për t’u kthyer në vendin e punës ka qenë organizimi i vendit të punës, që të ketë së paku 8 metra për një person. E pastaj edhe stafi të ketë rotacion nëse nuk ka hapësirë”, ka thënë Humolli.

Megjithatë, ajo ka thënë se tani qytetarët duhet të bartin maska.

“Me lirimin e kërkuar domosdoshmërisht duhet të vendosen maska të fabrikuara, apo jo kirurgjike. Nëse popullata i respekton këto masa, t’i quaja të buta, do të kishim kaluar këtë situatë që u krijua, e cila ishte e panevojshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj rritja e numrit të të prekurve në Prishtinë është diçka e pritur.

“Disa banorë punojnë në komunat e afërta të Prishtinës. Jodomosdoshmërisht burimin e infektimit e kanë në Prishtinë, e cila është më e rrezikuar. 281 raste që ka Prishtina, atëherë del një numër relativisht i ulët në proporcion me numrin e banorëve. Është një komponent që është bërë edhe gjatë kohës kur u shpall pandemia, e cila masë duhet të shfrytëzohet sepse duhet të mësohemi t’i adaptohemi realitetit me COVID-19. Por, ata që punojnë nga shtëpia s’duhet të dalin në kafiteri, kjo është një brengë e imja”, ka thënë Humolli.

Ajo thotë se duhet të kemi kujdes me ligjet, porse OBSH-ja e ka shpallur Covid-19 si emergjencë globale, dhe Kosova e ka të detajuar atë ligj.

“Duhet të kemi pak kujdes në çështjen e ligjeve. Ligji është obligativ dhe i rregullon veprimtaritë, e rregullat. Kosova ka ligje po nuk po zbatohen ato. Nëse COVID-19 është shpallë nga OBSH-ja si emergjencë globale e shëndetit publik, kjo është edhe për Kosovë. Kosova ka ligjin për emergjenca, e cila në detaje e shpjegon veprimtarinë e secilit institucion. Nëse një punëtor është obliguar nga menaxheri të punojë prej shtëpisë dhe shihet në kafiteri, apo jashtë, pa nevojë atëherë duhet të merren masa”, ka thënë ajo.

Të ngjashme