Humolli sërish kundër pushtetit, kërkon dorëheqjen e ministrit Murati

Prishtinë | 03 Tet 2022 | 18:11 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, sërish ka shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me veprimet e Qeverisë Kurti.

Së fundmi, ai ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi nuk i janë proceduar pagat mësimdhënësve që ishin në grevë gjatë muajit shtator.

Sipas tij, Murati nuk e ka arsyetuar pagën e tij dhe njëkohësisht nuk po punon siç duhet.

I kontaktuar nga Paparaci, Humolli me anë të një bisede telefonike u shpreh se nuk është korrekte që mos t’iu dalin pagat mësimdhënësve të Kosovës për muajin shtator.

“Nuk po e di, deri më 5 tetor është afati për me i procedu. S’është korrekte mos me i qit, mësimdhënësit kane vendosur me vazhdu mësimi. (Murati) sikur me qenë i interesuar me nervozu mësimdhënësit që me fillu grevën derisa ka buxhet nuk është korrekte”, theksoi ligjvënësi i pushtetit, cili kohëve të fundit ka hedhur kritika të ndryshme ndaj partisë së Vetëvendosjes.

Ai shtoi se ministri Murati nuk duhet të marrë pagën e tij pasi thotë se nuk po e kryen punën e tij. Rrjedhimisht, shprehet se shefi i kuletës kosovare nuk e ka arsyetuar rrogën e tij deri më tani.

“Derisa paraqiten këto nevoja për protesta nga mësimdhënësit dhe punëtoret është jo korrekte, qeveria është punëdhënës i administratës publike dhe mësimdhënësve e s’është punëdhënës i sektorit privat, por vetëm i krijon kushte për me punu”.

Ai tregoi edhe problemet që i ka me ministrin Murati, duke përmendur edhe mos-pajtimet me të lidhur me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë.

“Unë për veti kam pasur bukur probleme, prej problemit me veteranët e ka meritu me u shkarku (Hekuran Murati). Jam i bindur me këtë logjike qe është duke punuar është kunder misionit te LVV-së , pasi misioni ka qenë me kthy dinjitetin e jo punëtorët që na kanë edukuar për me dashtë Kosovën me na u kundërvu”, përfundoi Humolli për Paparacin.

Pavarësisht kritikave të shumta, Qeveria e Kosovës thotë që pagat janë ekzekutuar vetëm për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në Ligjin për greva”,tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Greva në sektorin publik të Kosovës është pezulluar deri në janar të vitit 2023, bënë të ditur gjatë vikendit përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Të ngjashme