Qindra persona protestuan më 31 janar në Budapest të Hungarisë, kundër masave izoluese, që autoritetet kanë vendosur me qëllim që ta frenojnë përhapjen e mëtejme të koronavirusit.
Protestuesit kishin vendosur maska në fytyrë, por nuk respektuan rregullat që ndalojnë tubimet publike.
Policia ka kërkuar dokumentet e identifikimit të pjesëmarrësve në këtë protestë.
Ndërkaq, pronarët e të paktën 100 restoranteve në kryeqytetin hungarez janë zotuar se do të rihapin bizneset e tyre nga 1 shkurti, pavarësisht se qeveria i ka paralajmëruar se ata mund të përballen me gjoba deri në 17,000 dollarë nëse bëjnë një gjë të tillë.
Sipas masave aktuale, në Hungari ka orë policore gjatë natës. Po ashtu, në këtë shtet janë të mbyllura shkollat e mesme si dhe të gjitha restorantet dhe kafenetë.
Këto biznese të gastronomisë lejohet të punojnë vetëm me porosi.
“Mjaft më me shkatërrimin e bizneseve”, thanë organizatorët e protestës në një postim në Facebook.Qeveria e kryeministrit hungarez, Viktor Orban tha se do të nisë me lehtësimin e masave, nëse bie numri i infeksioneve apo nëse një numër i madh i hungarezëve vaksinohen kundër koronavirusit.
Më 29 janar, Orban deklaroi për radion shtetërore se “njerëzit mund të vdesin nëse ne nuk i mbajmë në fuqi për disa javë të tjera masat kufizuese”.
Javën e kaluar, Hungaria u bë shteti i parë i Bashkimit Evropian që arriti marrëveshje për blerjen e vaksinës ruse Sputnik-V dhe të vaksinës së kompanisë kineze, Sinopharm.
Hungaria, që ka popullsi prej rreth dhjetë milionë banorësh, që prej fillimit të pandemisë ka raportuar për 367,586 raste me Covid-19, përfshirë edhe 12,524 viktima.