Hungaria dhe UEFA janë duke marrë rreziqe të mëdha duke lejuar 20 mijë tifozë në stadium për ndeshjen e Superkupës së Evropës të enjten në Budapest, ka thënë epidemiologu i famshëm hungarez Andras Csilek për agjencinë Reuters.
UEFA ka thënë se do të shohë se si do të funksionojë ndeshja në Budapest me tifozë para se të marrë vendim për ndeshjet tjera.
Do të jetë e mbushur 1/3 e stadiumit “Arena Pushkash” ndërsa Bayern Muencheni do të ndeshet me Sevillan.
Mirëpo, kryeepidemiologu hungares Andras Csilek, që këshillon Odën e Mjekëve në Hungari, ka thënë se momenti i ndeshjes nuk ka mundur të jetë më i keq, pasi vala e dytë e pandemisë po vazhdon të rritet nëpër Evropë. Në Hungari po regjistrohen nga 600 raste të reja ditore.
“Do të kishte pasur efekt të tmerrshëm në dy apo katër javët e para të pandemisë, por nuk mund të themi tash se çfarë efekte mund të presim dhe nëse do të jenë po aq të tmerrshme. Por vetëm mendoni për ndeshjet e futbollit që nxitën atë tmerr në Itali”, ka thënë Csilek.
Ekspertët kishin gjurmuar infeksionet me COVID-19 në Itali në ndeshjet e futbollit në shkurt dhe në Karnivalin e Venecias, thotë ai.
“Të vendosësh tifozët në stadium në vende të caktuara, nuk është e mundur, veçanërisht pasi që ata mblidhen para dhe pas ndeshjes. Është aty transporti publik që do të përdoret, turma e mbledhur në hyrje, më pas rruga deri te ulësja në stadium, tualeti, vendet ku porositen birrat, festimi i golave apo edhe përleshjet: janë pika të mundshme të infeksionit”, thotë Csilek.