Hungaria merr merita për lirimin e policëve kosovarë nga paraburgimi

Prishtinë | 26 Qer 2023 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Lirimi i 3 policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer në veri, ka nxitur reagimet e para.

Shteti hungarez ka marrë pak merita lidhur me vendimin e Gjykatës së Kralevës.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka informuar kryeministrin Viktor Orban për lirimin e policëve.

Ka shtuar se lirimi i policëve pas kërkesës së Hungarisë është dëshmi e qartë e miqësisë me Serbinë.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sapo e njoftoi kryeministrin Viktor Orbán se, sipas kërkesës së paraqitur në takimin e tyre javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se Orbán vlerëson hapin e ndërmarrë nga presidenti serb “në një periudhë sfidash serioze, që është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë mes kombeve serbe dhe hungareze dhe e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve”.

Ditë më parë kryeministri i Hungarisë, Orban, pati takim me presidentin serb.

” Ne hungarezët e shohim këtë dhe na është e qartë, këtu është ky rasti, këta tre policë të Kosovës, ju lus me respekt, i nderuari president Aleksandër, të mendoni mirë për këtë, armiqtë e Serbisë mezi presin t’ju bëjnë keq, të dëmtojnë Serbinë, dhe kjo është një situatë e tillë, një temë e tillë në të cilën mendoj se do të ishte mirë të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë, për t’i kthyer këta tre shqiptarë në Kosovë. Unë mendoj se kjo do t’ju ndihmonte që kauzën tuaj ta përmisoni, prandaj ju lutemi të mendoni për këtë”, kishte thënë Orban.

Të ngjashme