Zyrtarë të Ambasadës së Hungarisë në Kosovë kanë thënë se nuk kanë evidentuar së fundmi raste të kalimit ilegal të kufirit në shtetin e tyre nga kosovarët.
Në anën tjetër, të mërkurën mbrëma disa autobusë janë nisur nga Prishtina për në Beograd me synim vendet e BE-së.
Më fëmijë para duarsh që i ka zënë gjumi, Fatime Feta të mërkurën mbrëma priste bashkë me bashkëshortin autobusin e linjës Prishtinë Beograd.
Afër tyre janë edhe dhjetëra qytetarë të tjerë që presin autobusët e së njëjtës linjë, duke synuar më pas ilegalisht kalimin e kufirit drejt Hungarisë.
Për shkak të kushteve të vështira ekonomike ata nuk dëshirojnë të qëndrojnë më në Kosovë, por synojnë të arrijnë në një shtet të Bashkimit Evropian, ku edhe do të kërkojnë azil.
“Populli po e lëshon Kosovën, po ikën për një euro”, thotë Fatimja për “Zërin”, derisa rrëfen se deri te vendimi për të ikur jashtë vendit e shtyu mungesë e punësimit.
Ajo thotë se më parë kishte punuar si pastruese, por ishte larguar nga puna padrejtësisht.
“Me gjashtë fëmijë po largohem, të voglin e kam katër vjeç, për këta fëmijë po e bëj këtë sakrificë”, thotë ajo.
Bashkëshorti i saj Fetahu thotë se kanë paguar 15.5 euro për një biletë për në Beograd.
“Veç mos pastë vend se sonte kam mu nis, biletat i kam”, thotë ai derisa shpreh mllefin në Qeverinë që, sipas tij, nuk po krijojnë vende pune.