Janë penguar nga forcat e sigurisë 90 persona të cilët në tre ditët e fundit janë përpjekur të hyjnë në mënyrë ilegale në Hungari, e cila për të penguar hyrjen e refugjatëve ka vendosur tela me gjemba në kufirin me Serbinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar nga Qendra Kombëtare e Policisë Hungareze theksohet se në tre ditët e fundit në rajonet kufitare janë penguar 90 persona që kanë tentuar të hyjnë në vend.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se më 15-21 mars është ndaluar hyrja në vend e 32 refugjatëve, ndërsa më 22-28 mars hyrja e 125 refugjatëve.
Hungaria me qëllim ndalimin e fluksit të refugjatëve ka vendosur tela me gjemba në kufirin me Serbinë dhe Kroacinë, si dhe duke shpallu gjendje të jashtëzakonshme në zonat kufitare rriti dënimet e zbatuara për kalimet ilegale.
Gjithashtu Hungaria në kuadër të masave të marra kundër refugjatëve me mbështetjen aleatëve në Grupin e Vishegradit, si Çekisë, Polonisë dhe Sllovakisë dërgoi ushtarë dhe policë në kufi.
Me një ligj të miratuar me 7 mars në Parlament bëri të detyrueshme që refugjatët duke përfshirë edhe fëmijët të mbahen në kampet që do të formohen në zonat pranë kufirit përgjatë afatit për aplikimin e azilit, si dhe ishte njoftuar se refugjatët e kapur në të gjithë vendin do të nxirreshin jashtë kufijve të rrethuara me tela të Hungarisë.
Organizatat e shoqërisë civile, akuzojnë forcat hungareze të sigurisë se refugjatët që hyjnë në vend i dërgojnë në Serbi duke zbatuar mbi to dhunë.