Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po synon ta çojë vendin në zgjedhje dhe njëkohësisht të anashkalojë rolin e Kuvendit.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka deklaruar se përpjekjet për miratimin e ligjeve me procedura të përshpejtuara lidhen me këtë qëllim politik.
“Albin Kurti po na qon në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse po don me i kalu ligjet me afate të përshpejtume”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se sipas saj, kryeministri synon të përfundojë procedurat në Kuvend dhe më pas të qeverisë pa mbikëqyrje parlamentare.
“Albini po don me kry punë me Kuvend dhe mandej me qeverisë pa Kuvend dhe pa mbikëqyrje”, thuhet në reagimin e saj.
Bajrami ka kritikuar edhe funksionimin e Kuvendit, duke theksuar se ai nuk ka qenë funksional për një periudhë të gjatë.
“Prej dhjetorit të vitit 2024 s’ka pasë Kuvend funksional. Tash me kalu ligje me shmangie. Pse këto urgjenca?”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, ligjet që po synohen të miratohen me urgjencë janë të pazbatueshme.
“Urgjencë me ba ligje që s’mund të zbatohen kurrë”, ka shtuar Bajrami.