Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur mbledhjen e radhës ku do të miratohet raporti vjetor i punës së Komisionit për vitin 2018, raporton Ekonomia Online.
Anëtarja e komisionit, Hykmete Bajrami, kërkoi që të mbahet edhe një mbledhje, për shkak se vlerësoi se duhet të diskutohet edhe një herë çështja e reduktimeve të energjisë elektrike dhe çmimin e naftës.
Ajo ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet për këto çështje që i ka quajtur jetike për qytetarët.
“Bëra një kërkesë që të ftojmë nga zyra e rregullatorit të energjisë, se cilat janë masat që ky rregullator ka marrë për reduktimet që po i bën KEDS-i, kur dihet se kontrata privatizimit e detyron që t’i furnizojë qytetarët 24 orë. Ata kanë obligim për qytetarët justifikimet e tyre nuk janë të bindshme se ata thonë se po merren me riparime”.
“Po ashtu,ngritja e çmimit të naftën po kërkoj që të paktën kjo mbledhje të mos jetë e fundit ose nesër ose me 31. Me thirr MTI sepse KEDS-i nuk vjen tek ne. Është tepër e rëndësishme të ndërmarrim masa si komision sepse ka pasë thirrje nga mediet dhe OJQ që deputetët nuk po merren me këto çështje”.
Kryetarja e komisionit, Sala Berisha Shala, po e sheh të pamundur mbajtjen edhe të një mbledhje ngase sipas saj, asnjë nga institucionet nuk do të vijnë për raportim.
“Ideja me vizituar KEK-un ka qenë me i pa drejtpërdrejt që KEK-u nuk është problemi por KEDS-i. Tani propozimi juaj që ta mbajmë edhe një mbledhje për vit te ri, unë jam e sigurt që kolegët tuaj do të festojnë dhe nuk do të vijnë. Por edhe nëse vijnë deputetët, unë se di nëse institucionet do t’i përgjigjen kërkesës sonë”.
Anëtari i komisionit, deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj, kërkoi që komisioni të dal më një qëndrim sa i përket këtyre dy çështjeve.
“Nuk jam për një mbledhje sepse nuk do të mund të organizohemi dhe nuk e di nëse do të prodhojmë diçka, por insistojë të kemi një qëndrim edhe për çështjen e naftës edhe për çështjen e kufizimeve dhe reduktimeve energjike”.