Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se të gjithë anëtarët e kësaj partie janë të pajtimit që LDK të hyjë e vetme në zgjedhje.
Ajo kështu tha në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke theksuar se cilado parti që del fituese nga këto zgjedhje, e meriton postin e Kryeministrit.
“Tani jemi në një situatë të pashmangshme. Ne dje kishim disa takime në Këshillin e Përgjithshëm, ku kemi diskutuar në pika të shkurtra edhe rreth kësaj teme. Nuk mund të them që është vendim i prerë, por LDK preferon të garojë e vetme – është më mirë që të gjitha partitë ta praktikojnë këtë.
“Nuk mund të them se kjo është definitive sepse gjithçka varet nga lëvizjet e partive politike; ndërsa ne do të jemi në gjendje gatishmërie.
“Preferojmë të shkojmë vet në zgjedhje, kjo është dëshira e secilit anëtar të LDK-së. Para elektoratit do ta kemi një listë me plot personalitete ku kemi se çfarë t’u ofrojmë votuesve. Qytetarët i kanë sytë tek LDK-ja dhe ne asnjëherë nuk duhet t’i zhgënjejmë. Ne duhet të dimë se si të sillemi në situata të tilla”.
“Synojmë të hyjmë vetëm në zgjedhje sepse dëshirojmë që postin e Kryeministrit ta sigurojë partia më e votuar”.