Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka lavduar Qeverinë për punën e 100 ditëshit të saj, ekzekutiv ky që drejtohet nga ky subjekt.
Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se situatën me pandeminë COVID-19 e kanë menaxhuar shumë mirë duke e pasë parasysh situatën në të cilën ka qenë vendi gjatë këtyre ditëve.
“Një vendim për masat e reja kundër COVID-19 e ka sjell situatën në të cilën jemi, numri i rasteve aktive ka qenë 13 mijë tash është 170, në spitale të shtritë kishim 750 pacientë të prekur me koronavirus tani i kemi vetëm 25 persona. Të gjitha këto e kanë lehtësuar luftën ndaj pandemisë dhe kjo tregon se kanë dhënë rezultate masat e qeverisë bashkë me procesin e vaksinimit”.
“Në ditën e 66-të kemi siguruar mbi 1.2 milionë vaksina, vaksinimi masiv ka filluar nga 16 qershori, para pak ditësh kanë ardhur doza të reja të vaksinave, deri tani i kemi siguruar mbi 2 milionë doza, të vaksinuar kemi rreth 170 qytetarë. Brenda rrethanave dhe mundësive të Qeverisë, besoj se është bërë më shumë sesa që ka qenë e mundur”.
Hyseni ka deklaruar se ata kanë bërë punë të mira edhe në fushën e drejtësisë.
Po ashtu, iu është kundërpërgjigjur edhe akuza të pjesëtarëve të opozitës që ishin në studion televizive, të cilët thanë se pjesëtarë të LVV-së që janë në pozita të Qeverisë kanë aktakuza dhe se kjo nuk është e mirë për Qeverinë dhe shtetin.
“Kemi marrë hapa të rëndësishëm që e qojnë përpara Ministrinë e Drejtësisë. Aktakuzat që kanë pjesëtarët e LVV-së që janë në nivel të ministrave dhe të deputetëve, janë aktakuza kryesisht politike nuk kanë fare të bëjnë me të drejtën dhe të vërtetën”, ka thënë Hyseni.