Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, priti në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, JanBraathu,me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e mëtejmë midis dy institucioneve veçanërisht në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Të dy bashkëbiseduesit ritheksuan dhe në bazë të vlerësimeve ndërkombëtare, se Kosova është një prej vendeve të rajonit që ka bërë më së shumti në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe se tani e tutje përveç masave në parandalim, Institucionet e Kosovës po përqendrohen edhe në rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të kthyer.
Ndërkaq, sa i përket masave kundër trafikimit me qenie njerëzore, u vlerësua se në linjë me raportin e fundit të Departamentit të Shtetit, institucionet e Kosovës mund të bëjnë edhe më shumë që në raportin e ardhshëm të radhiten edhe më mirë.