Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka mbrojtur ligjin e miratuar së fundmi për Masat për Produktet Themelore, duke theksuar se ai synon mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e pakontrolluar e çmimeve.
Sipas Hysenit, kur çmimet rriten në mënyrë të papërballueshme, shteti ka detyrimin të ndërhyjë.
Ai ka sqaruar se ligji nuk synon të zëvendësojë tregun e lirë, por të vendosë kufij aty ku, sipas tij, fillon abuzimi.
“Ky ligj nuk ndalon fitimin, por ndalon grabitjen. Nuk dëmton konkurrencën, por e mbron atë nga deformimi”, ka deklaruar Hyseni për IndeksOnline.
Ai ka theksuar se masat e parashikuara janë të përkohshme, të domosdoshme dhe të drejta, duke shtuar se praktika të tilla aplikohen edhe në ekonomitë e zhvilluara të tregut.
Më tej, Hyseni ka përmendur se Kushtetuta obligon Qeverinë të ndërhyjë në kohë krize për të garantuar furnizimin dhe për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet në treg.
“Në asnjë vend tjetër opozita nuk i dërgon këto masa në Gjykatë Kushtetuese”, ka shtuar ai.
Në fund, deputeti ka vlerësuar se ligji është në shërbim të qytetarëve dhe i domosdoshëm në rrethanat aktuale.