Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka thënë se çështja e migrantëve ilegalë ka qenë një ndër problemet më të mëdha me të cilat është ballafaquar në fillim të mandatit të tij.
Mirëpo, por për një periudhë relativisht të shkurtër kjo çështje është vënë nën kontroll, ka thënë Hyseni.
Kreu i MPB-së i bëri komentet gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja FOL.
Me këtë rast, ministri Hyseni tha se është thelbësore dhe demokratike që shoqëria civile të jetë e angazhuar në përcjelljen e punës që bën Qeveria.
“Ju siguroj që në punën time shpeshherë udhëhiqem qoftë edhe nga një deklaratë e thjeshtë e një vëzhguesi të paanshëm sepse atëherë e merr vlerësimin me neutral të mundshëm”, tha ministri Hyseni.
Me këtë rast, ministri Hyseni siguroi të pranishmit se MPB ka përmbushur objektivat kryesorë të përcaktuar në fillim të mandatit të tij.
“Ka të arritura të shumta, por ka edhe fusha ku nuk ia kemi dalë që të arrijmë të gjithë objektivat e përcaktuar për arsye të ndryshme, duke mos e përjashtuar edhe mungesën e përkushtimit të fuqishëm nga vetë ne”, shtoi ministri Hyseni.
Po ashtu, si objektiva të rëndësishme janë nënshkrimi i marrëveshjeve të shumta ndërkombëtare, duke përfshirë marrëveshjen me FBI, FRONTEX, etj.
Gjithashtu ka të arritura evidente në luftimin e krimit dhe korrupsionit në atë pjesë që bie në dikasterin e MPB-së.
Duke folur për rastin e ndalimi të ish-kryeministri Haradinaj, ministri Hyseni theksoi se kjo është e papranueshme si nga ana juridike, po ashtu edhe nga ana politike, kur dihet që në dy raste ai ka dëshmuar pafajësinë e tij në gjykata ndërkombëtare.