Hyseni: Duhet koordinim për luftimin e trafikantëve me njerëz

Prishtinë | 18 Gus 2016 | 16:41 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni,  në vazhdën e takimeve nëpër rajonet e Kosovës ka zhvilluar sot në Prizren një takim me anëtarët e forumeve lokale të sigurisë së këtij rajoni.

Ministri Hyseni fillimisht vlerësoi takimet me këto forume në mënyrë që të punohet në parandalimin e trafikimit me njerëz, që konsiderohet një skllavëri moderne e trafikimit me njerëz, dhe parandalimin e lypsarëve,  sidomos të fëmijëve.

“Në Kosovë ky fenomen është i pranishëm dhe duhet me shumë seriozitet të merremi me këtë problem dhe për këtë duhet funksionimi zinxhiror i institucioneve të sigurisë në Kosovë, në mënyrë që të luftohen grupet kriminale që merren me tregtinë me njerëz”, tha ministri Hyseni.

Edhe në Prizren ministri Hyseni theksoi problemin e përdorimit të shtuar të narkotikëve dhe drogës dhe për këtë kërkoi nga të gjithë anëtarët e këtyre forumeve që aktivisht të angazhohen që të shtrijnë ndikimin ku do që janë: në familje, shkolla, bashkësi fetare etj.

Sa i përket radikalizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, ministri Hyseni tha se në bazë të dhënave të Policisë së Kosovës, që 11 muaj nuk kemi të regjistruar raste të shkuarjes së qytetarëve tanë në vatra të krizave.

“Parandalimi i këtij fenomeni është bërë falë bashkëpunimit që kemi bërë bashkërisht edhe ju anëtarët e këshillave të sigurisë dhe miratimit të ligjit kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja, ku janë arrestuar persona që janë marrë drejtpërdrejtë në përfshirjen dhe pjesëmarrjen e njerëzve në luftëra të huaja. Shqetësues mbetet fakti se sipas informacioneve, në zona të luftës kemi ende 73 qytetarë tanë kryesisht gra dhe fëmijë”, tha ministri Hyseni.

Situata e përgjithshme e sigurinë në rajonin e Prizrenit u vlerësua shumë e mirë dhe nuk janë shënuar incidente të rënda për këtë periudhë të raportimit të këtij viti.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme