Hyseni: Përdorimi i drogës nga të rinjtë me përmasa shqetësuese

Prishtinë | 19 Gus 2016 | 15:23 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, në vazhdën e takimeve nëpër rajonet e Kosovës ka zhvilluar sot në Ferizaj një takim me anëtarët e forumeve lokale të sigurisë së këtij rajoni.

Ministri Hyseni fillimisht theksoi se qëllimi i këtyre takimeve me këto forume po bëhet në mënyrë që të ndërmerret një fushatë proaktive në mënyrë që të punohet sa më shumë në parandalimin e trafikimit me njerëz dhe parandalimin e lypsarëve, sidomos të fëmijëve.

“Sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore gjendjen nuk e kemi të mirë dhe përveç ndërhyrjeve që bënë Policia e Kosovës ka nevojë për një angazhim të spektrit më të madh shoqëror, social dhe politik, në mënyrë që të gjitha shqetësimet për gjendjen reale ta përmirësohen”, tha ministri Hyseni.

Ndërsa, sa i përket problemit të përdorimit të narkotikëve dhe drogës ministri Hyseni theksoi se kryesisht janë të përfshirë grupmoshat shkollore dhe është duke marrë përmasa shqetësuese.

“Sa më shumë që fëmijët tanë marrin droga, aq më shumë pasurohen bosët e krimit dhe sa më të fortë bëhen bosët e krimit, aq më shumë dobësohet shteti dhe për këtë është e nevojshme që ne bashkërisht të punojmë në parandalimin e konsumit të drogave në mënyrë që Policia e Kosovës të merret vetëm me personat që trafikojnë drogë”, theksoi ministri Hyseni.

Sa i përket radikalizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, ministri Hyseni tha se në bazë të dhënave të Policisë së Kosovës, që 11 muaj nuk kemi të regjistruar raste të shkuarjes së qytetarëve tanë në vatra të krizave.

“Parandalimi i këtij fenomeni është bërë falë bashkëpunimit që kemi bërë bashkërisht edhe ju anëtarët e këshillave të sigurisë dhe miratimin të ligjit kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja”, tha Hyseni.

Situata e përgjithshme e sigurinë në rajonin e Ferizajt u vlerësua shumë e mirë dhe u konstatua se në bazë të takimeve me këshillat komunale për siguri është bërë një punë shumë e mirë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme