Hyseni priti në takim shefin e Sektorit për sundim të ligjit në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë, 25 janar 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Bahri Hyseni, ka pritur në takim shefin e Sektorit për sundim të ligjit në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, z. Samuel Paice, me të cilin ka biseduar për rrjedhat aktuale në sistemin prokurorial.

Fillimisht, kryesuesi Hyseni ka falënderuar shefin Paice për mbështetjen e vazhdueshme që shteti britanik i ka dhënë sistemit prokurorial të shtetit kosovar, duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e plotë pas marrjes së detyrës për vazhdimin e bashkëpunimit reciprok.

Me këtë rast, kryesuesi Hyseni ka vlerësuar lart ofrimin pa rezervë të ekspertizës, përvojës dhe mbështetjes së vazhdueshme britanike në fuqizimin dhe avancimin e sistemit prokurorial të vendit. “Ne jemi veçanërisht të lumtur që nëpërmjet partneritetit zbatues për sundimin e ligjit me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar po arrijmë që bashkërisht të fuqizojmë kapacitetet dhe rolin e Këshillit dhe po identifikojmë çdo ditë çështje të ndryshme ndërvepruese, si dhe për t’u dalë mbanë sfidave urgjente me të cilat ballafaqohemi gjatë aktiviteteve dhe veprimtarisë tonë”, ka thënë Kryesuesi i KPK-së, Hyseni.

Nga ana tjetër, shefi i Sektorit të sundimit të ligjit në Ambasadën e Britanisë së Madhe, z. Samuel Paice, duke uruar kryesuesin e KPK-së, Bahri Hyseni për marrjen e detyrës, shpreson se do ketë vullnet dhe përkushtim të ndërsjelltë në proceset e ardhshme që do kontribuonin drejtpërdrejt në krijimin e një sistemi transparent, llogaridhënës, efikas dhe efektiv.

Në përmbyllje të këtij takimi, z. Hyseni dhe z. Paice u pajtuan për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional të të dyja shteteve – Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, në funksion të fuqizimit dhe promovimit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme