Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me tri vjet burgim Hysni Hoxhën, ish-kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Përveç dënimit me burg, gjykata ka vendosur që Hoxhës t’ia ndalojë ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej tri vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.
“I akuzuari H. H. duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me qëllim që t’i mundësojë tjetrit përfitim të dobisë pasurore, i tejkalon kompetencat e tij ligjore në atë mënyrë që, më dt. 03.10.2014 dhe 09.10.2014, në Prishtinë, në cilësinë e kryetarit të OSHP-së, e në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik nr. 04/L-042 (neni 105.1), Rregulloren e Punës së OSHP-së (neni 14) dhe dispozitave të Ligjit të Procedurës Administrative nr.02/L-28 (neni 97), duke vendosur me konkluzion si çështje ‘Res Judicata’, pa i shqyrtuar fare, i ka refuzuar ankesat e operatorëve ekonomikë ‘Caraglio SRL&NTSH Electra’ të dt.02.10.2014 dhe konzorciumit ‘C&GD.O.O & Komtel Project Engineering’ SH.P.K., të dt. 03. 10. 2014, të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues ‘KOSTT’ SH.A., për aktivitetin e prokurimit ‘Instalimi i Grupeve Matëse në kufirin në mes të ‘KOSTT’ (KEK) OSSH, me nr. të Prokurimit 14-12-84-511, me të cilin vendim, autoriteti kontraktues pas procedurës së rivlerësimit e kishte shpallur fitues OE ‘Monten&G3 Engineering’ SH.P.K., edhe pse kompetent për vendosje për ankesë ka qenë Paneli Shqyrtues i OSHP-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Vlera e kontratës së nënshkruar për këtë projekt ishte 2 milionë e 327 mijë e 240 euro ashtu që duke i tejkaluar autorizimet dhe kompetencat e tij, ia ka mundësuar fitimin e kontratës në këtë projekt operatorit ekonomik ‘Monten&G3 Engineering’”, thekson njoftimi.