Gjatë seancës së të martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Elmedin Raka deklaroi se gjatë arrestimit të tij nga Njësia Speciale e Kosovës, u urdhërua të zbresë shkallët dhe të vendoste një kapuç, si dhe u kërcënua që nëse përpiqet të ikte, do ta vrasin.
“Nuk e di pse, më thanë të vesh xhaketën dhe të vendos kapuçin mbi kokë dhe më urdhëruan të lëvizja poshtë shkallëve… Më kërcënuan se nëse përpiqesha të ikja, do të më vrisnin,” tha Raka.
Në këtë rast, përveç Rakës lidhur me zjarrvënjen në objektin e Gjykatës në Kaçanik, Prokuroria po i ngarkon dhe të miturit T.B., M. R., dhe V.T.
Lidhur me deklaratën e të akuzuarit, prokurorja speciale Fikrije Krasniqi njoftoi se është duke hetuar rastin.
Më tej, Raka tregoi se natën kritike ai kishte ngrënë syfyr me familjen e tij dhe kishte shkuar të flinte, dhe se ditën tjetër u zgjua në mesditë raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja Krasniqi, i akuzuari tha se nuk kishte asnjë arsye apo qëllim që ka fshirë të gjitha komunikimet nga telefoni i tij më 13 mars 2024.
Mbrojtësja e tij, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, e informoi trupin gjykues se sot në seancë është i pranishëm vëllai i të akuzuarit- i mituri M.R., për të cilin është mbajtur një seancë në Gjykatën Themelore të Ferizajt dhe është liruar së bashku me të miturit e tjerë. Ajo kërkoi leje nga Gjykata për praninë e tij në seancë.
Prokurorja Krasniqi kundërshtoi që i mituri të ishte i pranishëm në seancë, duke argumentuar se kjo mund të pengonte rrjedhën e procesit penal.
“Duke marrë parasysh se Gjykata Themelore në Ferizaj ka pushuar procedurat penale kundër këtyre të miturve, por ky vendim ende nuk është përfundimtar dhe pritet një vendim nga Gjykata e Apelit”, tha prokurorja Krasniqi.
Megjithatë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Kushtrim Shyti vendosi që prania e të miturit M.R., si pjesë e publikut nuk do të pengonte procedurën, duke ia lejuar qëndrimin e tij në seancë.
Gjithashtu, në këtë seancë dëshmoi dëshmitari Eroll Lika, i cili e kishte parë zjarrin në ndërtesën e Gjykatës së Ferizajt, tregoi se kishte lajmëruar Policinë e Kosovës pasi kishte parë zjarrin.Dëshmitari tha se pas shikimit të disa video-regjistrimeve të treguara nga Policia e Kosovës, nuk arriti të identifikonte se kush mund të ishte i përfshirë.
Me lejen e gjykatës, avokatja Gashi-Bytyqi e pyeti dëshmitarin Lika nëse mund të identifikonte të akuzuarin Raka si personin që kishte parë atë natë kritike. Dëshmitari mbeti në qëndrimin e tij se nuk kishte mundur të identifikonte askënd.
Gjithashtu, në këtë seancë u prezantuan provat materiale dhe video-regjistrimet e propozuara nga prokurorja Krasniqi, e cila qëndroi pranë këtyre provave siç ishte paraqitur në aktakuzë.
Pas paraqitjes së provave, avokatja Gashi-Bytyqi kërkoi nga gjykata që të shfaqeshin videot e siguruara nga Prokuroria, dhe gjykata e pranoi këtë kërkesë të avokates.
Meqenëse palët nuk e kishin përgatitur fjalën përfundimtare, seanca u ndërpre për të vazhduar një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Elmedin Raka me dashje dhe pas marrëveshjes paraprake me të miturit T.B., M.R,. dhe V. T., me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues, ka shkatërruar dhe dëmtuar instalime apo pajisje publike, duke qenë me bindje ideologjike vehabiste si dhe duke shpërfaqur urrejtje ndaj institucioneve shtetërore dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, më 13 mars 2024, rreth orës 03:42 minuta, kanë shkuar te objekti i Gjykatës Themelore Ferizaj – Dega në Kaçanik.
Tutje në aktakuzë, thuhet se i mituri T.B,. dhe i akuzuari Raka, duke përdorur forcën e kanë hapur derën e shkallëve emergjente, kanë arritur në katin e dytë të objektit dhe me një mjet (lloz) metalik kanë hapur dyert e dy zyrave të gjyqtarëve, ku në secilën zyrë kanë vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse, ndërsa nga një shishe e kanë vendosur në hyrje të zyrave, e pastaj duke u larguar ua kanë vënë zjarrin shisheve, me ç’rast korridorin dhe zyrat e lartpërmendura i ka kapluar zjarri dhe janë shkatërruar tërësisht, duke vështirësuar funksionimin e shërbimeve publike.
Sipas aktakuzës, gjatë kësaj kohe të miturit V.T,. dhe M.R,. kanë bërë roje rreth objektit të gjykatës, e pastaj se bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes
Me këtë, i akuzuari Raka akuzohet se në bashkëkryerje me të miturit e ka kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndryshe, të miturit e lartcekur janë duke u gjykuar në Departamentin për të Mitur të Gjykatës Themelore të Ferizajt.